Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova Baçi, është përballur me kërcënime serioze gjatë javëve të fundit, të cilat dyshohet se vijnë nga një ish-edukatore.
Për Klan Kosova ajo ka thënë se që nga data 3 gusht e këtij viti, ka qenë vazhdimisht nën presion psikologjik, pasi siç thotë ajo, ka marrë thirrje të shumta kërcënuese dhe ka përjetuar shqetësime të vazhdueshme. Këto, jo vetëm në ambientin e punës, por edhe në shtëpinë e saj dhe atë të prindërve.
Sipas Baçit, e dyshuara ka tentuar në mënyrë të përsëritur ta ndalojë në rrugë apo në vendin e punës, madje është paraqitur fizikisht edhe tek dera e banesës së saj.
“Që nga data 03 gusht e këtij viti, unë pothuajse çdo ditë jam shqetësuar dhe kërcënuar nga një ish-edukatore. Në bazë ligjore, në Drejtorinë e Arsimit i posedojmë edhe raportet dhe evidencat mjekësore të saj për gjendjen e shëndetit mendor, pasi edhe vitin e kaluar kemi kaluar në të njëjtën situatë. Pas trajtimeve të marra mjekësore, të cilat ishin vendosur nga gjykata, deri më tani nuk jemi përballur me të. Që nga 03 gushti i këtij viti, unë kam marrë thirrje të panumërta, kërcënime të vazhdueshme dhe shqetësime, si në vendin e punës, ashtu edhe në shtëpinë time dhe atë të prindërve të mi. Në çdo rast, kur ajo ka tentuar të më takojë, të më ndalojë në rrugë apo në punë, madje ka ardhur edhe te dera ime, është lajmëruar policia, e cila ka kryer detyrën me profesionalizëm”, ka thënë zyrtarja publike.
Tutje, Baçi thotë se ish-edukatorja me urdhër të prokurorit është ndaluar tri herë nga 48 orë, por sipas saj, me vendim të Gjykatës është liruar dhe nuk është dërguar për trajtim përkundër deklaratave të saj dhe të dëshmitarëve për kërcënim.
“Sot (dje) në DKA, është paraqitur duke më kërcënuar për jetë, duke tentuar të më sulmojë dhe duke shkaktuar dëme të tjera në zyrë. Unë jam e rrezikuar në çdo moment dhe nuk mund të ushtroj as funksionin tim zyrtar, e as ta jetoj jetën time private, përderisa gjykata vazhdon të lirojë një person që ka çrregullime mendore dhe paraqet rrezik për jetën time si zyrtare publike”, u shpreh Baci, njofton Klankosova.tv.
The post “Nuk mund të jetoj normalisht”, drejtoresha e Arsimit në Gjakovë denoncon kërcënimet nga ish-edukatorja appeared first on Klan Kosova.