Është ndarë nga jeta Bajram Qerkini, kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve” i cili nuk reshti kurrë së kërkuari përgjgije për të pagjeturit.
Lajmin e ka bërë te ditur Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur.
“Pusho në paqe, Baca Bajram – zemra që kërkoi të vërtetën pa e gjetur kurrë përgjigjen!”, ka shkruar Gara në Facebook.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëpunëtorit tonë të çmuar, Bajram Qerkini – një zë i palodhshëm në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë për personat e zhdukur”.
“Baca Bajram, siç e njihnim të gjithë me respekt, ishte shembull i përkushtimit, durimit dhe forcës shpirtërore”.
“Pavarësisht dhimbjes personale që e shoqëroi për 26 vite në pritje për të mësuar fatin dhe vendndodhjen e djalit të tij të zhdukur, Reshatit, ai nuk u ndal kurrë së angazhuari për të gjithë ata që jetonin të njëjtën plagë. Është thellësisht prekëse që ai u nda nga kjo botë pa arritur të marrë lajmin dhe të mësojë vendndodhjen e të birit – një boshllëk që e shoqëroi deri në momentet e fundit. Një dhimbje e madhe për të cilën fliste rrallë, meqë ishte shndërruar në zërin e fuqishëm të të gjitha familjeve që jetojnë me dhimbjen dhe ankthin, në zërin e viktimave të heshtura”.
The post Nuk mori kurrë përgjigje për djalin e tij të zhdukur – vdes Bajram Qerkini, kryetari i Zërit të Prindërve appeared first on Klan Kosova.