Wojciech Szczesny është shprehur për fillimin e vështirë të aventurës së tij te Barcelona, duke pranuar se “nuk përshtatej” me stilin e lojës së skuadrës, teksa doli nga pensionimi për t’iu bashkuar gjigantëve spanjollë.
Portieri polak zbuloi se përshtatja me sistemin e rrezikshëm të Hansi Flick kërkonte gabime, ulje të egos dhe përpjekje të pandalshme, që kulmuan me tre trofe në Spanjë sezonin e kaluar.
“E dija që kur pranova këtë sfidë se nuk përshtatesha me stilin e Barcelonës. E dija që isha opsioni më i mirë rezervë në atë kohë, por nuk jam absolutisht profili i portierit që i përshtatet atij stili loje”, tha ai për Sportpl.
“E dija që do të duhej të përshtatesha, dhe nuk mund ta bëja këtë duke luajtur të sigurt. E dija që do të duhej të vrapoja disa herë në mënyrë të pakuptimtë jashtë zonës për të kuptuar se ku ishte kufiri, sa lart mund të shkoja dhe sa shumë mund të rrezikoja. Dhe kjo do të thoshte se duhej të bëja disa gabime”.
“Nuk ndihesha aspak rehat me këtë, por e pashë që ky plan po jepte rezultat. Skuadra po luante shkëlqyeshëm, prandaj duhej të përshtatesha me këtë lojë, jo skuadra me mua, sepse thjesht nuk përshtatesha”.
“Isha shumë i hapur për të mësuar, dhe njëkohësisht duhej të lija mënjanë egon. E di, megjithatë, se ka një nivel që nuk do ta arrij kurrë”.
“Jam shumë i vjetër për të mësuar gjithçka kaq shpejt. Thjesht përpiqesha të bëja punën time sa më mirë që të mundja”, përfundoi polaku.
Ndërkohë, humbja 4-1 e Barcelonës ndaj Sevillës së fundmi nxori në pah sfidat e vazhdueshme për Szczesnyn dhe mbrojtjen e blaugranasve.
Pavarësisht përpjekjeve të tij, portieri veteran pësoi katër gola në një ndeshje ku Sevilla shfrytëzoi boshllëqet në mbrojtje dhe hapësirat në kundërsulme./Telegrafi/