Princ Leka ka folur publikisht për herë të parë mbi divorcin e bujshëm me ish-bashkëshorten, Elia Zaharinë, dhe mbi videon e konfliktit që bëri bujë në media. I ftuar në emisionin “Mirëmbrëma Yje”, ai tregoi se ndarja e tyre ka qenë një proces me disa faza dhe jo një vendim i menjëhershëm.
“Kemi pasur një raport korrekt. Ndarja ka ardhur me faza të ndryshme: faza emocionale, distancimi… Jetonim në të njëjtën shtëpi, por të distancuar. Kam qëndruar vetëm me vajzën, por nuk kishim kontakt, as fizik. Herë pas here kemi qenë për mediat, foto, një kartolinë e bukur, por krejtësisht false. Ka qenë faza ligjore”, tha ai.
Princi theksoi se mes tij dhe Elias nuk ka pasur tradhti, duke zbuluar se lidhjen me fotografen Blerta Celibashi ia kishte treguar ish-bashkëshortes përpara se të lidhej me të. “Me të gjithë këto strese, edhe Blerta ka qenë viktimë e sulmeve dhe narrativeve që nuk ishin reale. Nuk ka pasur tradhti. I kam thënë Elias para se të përqafohesha me Blertën që jam takuar me Blertën”, tha Leka.
Sa i përket videos së publikuar, ku ai shihej duke u konfliktuar me Elian dhe babain e saj, Leka shprehu keqardhje që e dorëzoi në polici. “E pranoj që gabova, nuk duhet ta kisha dhënë asnjëherë videon. Duhej ta mbaja për gjyqin sepse ishte një goditje e drejtpërdrejtë. Ne kemi përjetuar një sulm – mediatik dhe ligjor. Pastaj, si janë trajtuar filmimet dhe kanë dalë në publik, jam ndjerë i tradhtuar nga ata që ua kisha besuar”, tha ai.
– YouTube youtu.be
Princi shtoi se vendimi për ta filmuar situatën erdhi nga frika se mos ndodhte diçka e sajuar: “Jam ndjerë më mirë të kem një filmim. Ka qenë edhe këshillë që kam marrë. Vajza ishte duke u larguar në momentin e acarimit. Shyqyr që ajo është mirë. Nuk ka pasur dhunë, nuk e kam dhunuar Elian asnjëherë. Ka vetëm një viktimë në këtë mes dhe ajo është Geraldina, vajza ime e mrekullueshme”.
Princ Leka shtoi se divorci ishte mbyllur ligjërisht pa konflikte, madje edhe çështjet e pronësisë ishin rregulluar më parë, por situata e muajit mars kishte dëmtuar imazhin e tij dhe të familjes mbretërore. “Ata që kanë qenë në dijeni të presioneve, e kanë kuptuar që nuk ka qenë një konflikt brenda familjes, por ka pasur një dorë të jashtme nga presionet”, përfundoi ai. /Telegrafi/