“Nuk e prisja kaq bukur”, Shkodra magjeps vizitorët nga e gjithë bota

“Nuk e prisja kaq bukur”, Shkodra magjeps vizitorët nga e gjithë bota

Edhe pse kemi hyrë zyrtarisht në stinën e vjeshtës, turistët e huaj vazhdojnë të vizitojnë Shkodrën, tërhequr nga bukuritë natyrore dhe jeta e gjallë e qytetit.

Në rrugët e Shkodrës, turistët janë të shumtë edhe pas mesit të muajit shtator. Vizitorë nga vende të ndryshme të botës shprehen të entuziazmuar për atmosferën dhe mikpritjen që kanë gjetur në qytet.


“Është këndshëm, shumë bukur. Ne ishim për hiking nga Valbona në Theth dhe tani u kthyem sërish këtu.”

“Kam qenë këtu dy net, por kam shijuar çdo moment.”

“Po e dua Shkodrën, është shumë e mrekullueshme. Mendova se ishte një qytet i vogël, por më befasoi.”

“Jam nga Izraeli. Shkodra është shumë komode dhe miqësore për turistët.”

“Shumë mikpritëse, ndihesh i sigurt, mund të ecësh vetëm. Njerëzit janë të hapur.”

“Një qytet rinor, shumë festa, shumë të rinj. Është ndalesa jonë e fundit në Shqipëri dhe fantastike.”

“Sot ishte dita jonë e parë, vizituam kalanë Rozafa – shumë unike, perëndimi ishte i mrekullueshëm.”

“Jam nga Brazili, kam pesë vite që udhëtoj. Në Shkodër jam prej dy muajsh. Më pëlqen të bëj hiking, është një vend i gjallë dhe kulturor.”

Interesimi i lartë për Shkodrën pritet të vazhdojë edhe në tetor.

Operatorët turistikë konfirmojnë se rezervimet mbeten të shumta edhe për muajin në vijim, pavarësisht disa ngjarjeve të fundit në qytet që nuk kanë ndikuar në fluksin e vizitorëve.

“Pedonalja është çdo natë plot me turistë, si të huaj ashtu edhe shqiptarë. Shkodra nuk është më ajo që ishte vite më parë, por është në lulëzim. Më vjen keq që shpesh ngatërrohet turizmi me ndonjë ngjarje të rastësishme. Jeta vazhdon dhe është shumë e ëmbël këtu,” – shprehet Gjon Dukgilaj, operator turistik.

Megjithatë, Dukgilaj e cilëson këtë vit turistik si “të varfër”, për arsye që lidhen me situatën globale dhe jo me politikat vendase.

“Sivjet ka pasur një turizëm të varfër, por kjo nuk varet nga ne. Vetë Evropa është nën ndikimin e një ere lufte dhe kjo ndikon menjëherë në sektorin e turizmit. Ka shumë faktorë ndërkombëtarë që ndikojnë,” – shton ai.

Sipas operatorëve turistikë, rezervimet në Shkodër vazhdojnë deri në gjysmën e dytë të muajit tetor, ndërsa destinacioni më i kërkuar mbetet Thethi, që vijon të jetë kampion i turizmit malor në veri të Shqipërisë.

– YouTube youtu.be