Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka komentuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar, duke e quajtur atë një “befasi” jo vetëm për partitë tjera, por edhe për vetë deputetët e VV-së.
Në një intervistë për “Edicionin Special” të hënën në Klan Kosova, Izmaku u shpreh se nuk pret që Vetëvendosje të përsërisë të njëjtën qasje si herën e kaluar, kur pa paralajmërim propozoi deputetin Dimal Basha për postin e kryetarit të Kuvendit.
“Në bazë të përshtypjeve të mia dhe reagimeve që i kam përcjellë përmes mediave, nuk besoj se do ta përsërisin befasinë e njëjtë. Nuk besoj se i shkon përshtati as vetë Vetëvendosjes. Brenda VV-së ka figura që kanë një relacion më pozitiv me kolegët dhe figura më autoritative që do ta kompletonin më mirë figurën e një kryetari Kuvendi. Sepse një kryetar Kuvendi nuk është vetëm një deputet”, u shpreh ajo, transmeton Klankosova.tv.
Ndërsa për qëndrimin e Nismës lidhur me votimin në Kuvend, Izmaku theksoi se vendimi do të merret vetëm në momentin kur të krijohet një shumicë parlamentare stabile.
“Në momentin që krijohet një mazhorancë politike, një shumicë parlamentare, ne do të ulemi përsëri në tavolinë. Sepse Nisma ka qenë e para që ka pranuar të shtrijë dorën e bashkëpunimit për shkak të interesave të vendit”, deklaroi Izmaku.
The post “Nuk do përsërisin befasinë e njëjtë”, kë do të votojë Nisma sot në Kuvend? (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.