Javën e kaluar, kompania Nothing ngjalli kuriozitet në publik duke publikuar një foto të kufjeve të reja Nothing Ear (3), ku binte në sy një buton me mbishkrimin “Talk”, por pa asnjë shpjegim për funksionin e tij. Tani duket se misteri është drejt zgjidhjes.
Në profilin zyrtar të kompanisë në Instagram është publikuar një foto e re me përshkrimin: “Ear (3) me Super Mic. Tani mund t’ju dëgjoj”.
Në foto shihet një gisht i madh i vendosur pikërisht mbi butonin “Talk”, dhe postimi sugjeron se bëhet fjalë për një mikrofon të integruar në kufje.
Edhe pse Super Mic nuk është i dukshëm në postimin e fundit (sepse ndodhet në anën e djathtë të kutisë së kufjeve), ai tashmë ishte zbuluar në fotot e mëparshme.
Gjithçka tregon se butoni pritet të funksionojë ngjashëm me një voki-toki klasik.
Megjithatë, ende mbetet e paqartë se cilat aplikacione do të mbështesin këtë funksionalitet.
Detajet nuk do të vonojnë shumë, pasi prezantimi zyrtar i kufjeve të reja është caktuar për këtë të enjte.
Atëherë pritet të zbulohet edhe çmimi, i cili, sipas spekulimeve, do të jetë mes 150 dhe 200 eurove. /Telegrafi/