Një zyrtar i Hamasit shpall fundin e luftës, një tjetër thotë se asnjë palestinez nuk pranon çarmatosjen

Një zyrtar i Hamasit shpall fundin e luftës, një tjetër thotë se asnjë palestinez nuk pranon çarmatosjen

Një zyrtar i lartë i Hamasit ka thënë se grupi shpall fundin e luftës sot – duke pretenduar se kjo shënon fillimin e një “armëpushimi të përhershëm”.

Khalil al Hayya, i cili i mbijetoi sulmit të Izraelit ndaj zyrtarëve të Hamasit në Katar muajin e kaluar, tha se marrëveshja përfshin hapjen e kalimit të Rafah në të dy drejtimet, përcjell Telegrafi.


Ai shtoi se marrëveshja do të çojë në lirimin e të gjitha grave dhe fëmijëve palestinezë të burgosur dhe tha se Hamasi mori garanci nga ndërmjetësit dhe administrata amerikane që konfirmojnë se lufta ka mbaruar plotësisht.

Duke folur më parë, një zëdhënës i qeverisë izraelite tha se një armëpushim do të hyjë në fuqi “brenda 24 orëve” pasi të zhvillohet mbledhja e plotë e kabinetit të Izraelit.

Një burim qeveritar izraelit i ka thënë Reuters se mbledhja e kabinetit të sigurisë tani ka përfunduar dhe ministrat tani do të mblidhen për të votuar nëse do të ratifikojnë marrëveshjen e armëpushimit.

Ndërkohë, rreth marrëveshjes është deklaruar edhe një tjetër zyrtar i lartë i Hamasit.

Osama Hamdan thotë se “asnjë palestinez nuk pranon çarmatosjen” dhe se palestinezët “kanë nevojë për armë dhe rezistencë”, raporton Reuters, përcjell Telegrafi.

Deklarata është në kundërshtim me një element kyç të planit të paqes prej 20 pikash të Donald Trump për Gazën, i cili bën thirrje për çarmatosjen e Hamasit. /Telegrafi/