Një tjetër goditje për Juventusin – mbeti pa lojtarin kyç në mbrojtje

Një tjetër goditje për Juventusin - mbeti pa lojtarin kyç në mbrojtje

Juventusi ka konfirmuar se qendërmbrojtësi Gleison Bremer ka pësuar një dëmtim të ri në meniskun e gjurit të majtë dhe do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale për ta riparuar.

Mbrojtësi brazilian e kishte kaluar pjesën më të madhe të sezonit të kaluar jashtë fushave, pasi pësoi një këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior (ACL) në tetor të vitit 2024, gjatë një ndeshjeje të Ligës së Kampionëve kundër RB Leipzig. Dëmtimi i rëndë e mbajti atë jashtë deri në fund të sezonit.


Bremer u rikthye në formacion në fillim të këtij edicioni të Serie A, duke luajtur si titullar në fitoren 2-0 ndaj Parmës në javën e parë, por mungoi në dy ndeshjet e fundit para pushimit ndërkombëtar – një lajm shqetësues për trajnerin Igor Tudor.

Sipas njoftimit zyrtar të klubit, 28-vjeçari është diagnostikuar me këputje të meniskut medial në të njëjtin gju që kishte operuar më parë.

“Këtë mëngjes në Lyon, Gleison Bremer iu nënshtrua një kontrolli mjekësor nga Dr. Sonnery-Cottet, i cili konfirmoi këputjen e meniskut medial në gjurin e majtë”, thuhet në komunikatën e Juventusit.

Sipas La Gazzetta dello Sport, Bremer pritet të mungojë për më shumë se një muaj dhe rikthimi i tij në fushë mund të ndodhë në nëntor.

Në mungesë të tij, pritet që Daniele Rugani të marrë më shumë minuta në qendër të mbrojtjes, ndërsa Tudor duhet të kërkojë zgjidhje të reja për të mbajtur stabilitetin defensiv të skuadrës bardhezi. /Telegrafi/