Një person shoqërohet nga Policia në shkollën “Naim Frashëri” në Shtime

Një person shoqërohet nga Policia në shkollën “Naim Frashëri” në Shtime

Një incident i lehtë është raportuar gjatë pasdites së sotme në komunën e Shtimes, ku një person është shoqëruar nga Policia e Kosovës në një nga qendrat e votimit.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur për Telegrafin se rasti ka ndodhur në qendrën e votimit që ndodhet në shkollën “Naim Frashëri”, rreth orës 14:30, kur një person me inicialet E.M. është shoqëruar në stacionin policor.


“Në lidhje me informatën në qendrën e votimit në shkollën ‘Naim Frashëri’ në Shtime, rreth orës 14:30 policia ka shoqëruar një person E.M. në stacionin e policisë”, ka deklaruar Veseli.

Sipas tij, pas intervistimit dhe veprimeve të ndërmarra nga hetuesit, prokurori i shtetit ka konstatuar se nuk ka pasur elemente për vepër penale.

“Personit në fjalë i është shqiptuar tiket për kundërvajtje, për prishje të rendit dhe qetësisë publike”, ka shtuar më tej zëdhënësi Veseli.

Ai ka theksuar gjithashtu se Policia e Kosovës është e pranishme në të gjitha qendrat e votimit në rajonin e Ferizajt, për të siguruar një proces zgjedhor të qetë dhe të sigurt. /Telegrafi/