E premte, 13 Qershor, 2025
spot_img
HomeLajmeNjë lloj i harruar i kancerit po prek gjithnjë e më shumë...

Një lloj i harruar i kancerit po prek gjithnjë e më shumë të rinjtë

Një formë e rrallë e kancerit, që deri vonë konsiderohej pothuajse e panjohur për shumicën e njerëzve, është duke u përhapur me ritme shqetësuese – veçanërisht te të rinjtë.

Sipas një studimi të publikuar në Annals of Internal Medicine, të cituar nga Science Alert, kanceri i apendiksit është duke shënuar rritje alarmante sidomos te personat e lindur pas viteve 1970. Rastet janë trefishuar apo katërfishuar krahasuar me ata të lindur në vitet 1940 – duke prekur të rritur në të 30-at, 40-at, e madje edhe më të rinj.

Statistikat flasin vetë: Sot, rreth një në tre raste të këtij kanceri ndodh te personat nën moshën 50 vjeç – shumë më tepër se sa në format e tjera të kancerit të aparatit tretës.

Çfarë është apendiksi dhe pse rrezikon?

Apendiksi është një zgjatje e vogël e ngjitur në zorrën e trashë, që shpesh lidhet me apendisitin – inflamacion i zakonshëm që kërkon operacion urgjent. Por në raste të rralla, në këtë pjesë të trupit mund të zhvillohet edhe kancer, zakonisht pa simptoma të qarta.

“Ky lloj kanceri është i vështirë për t’u zbuluar sepse simptomat janë të mjegullta, dhimbje të lehta barku, fryrje apo ndryshime në jashtëqitje, që shpesh ngatërrohen me probleme të zakonshme të tretjes”, thuhet në raport.

Shumë pacientë marrin vesh për diagnozën vetëm pasi nënshkruajnë për operacion për apendisit.

Pse po rritet ky kancer?

Ekspertët nuk kanë një përgjigje përfundimtare, por disa faktorë të dyshuar po shqyrtohen. Ndër ta janë ndryshimet në stilin e jetesës, ndotja mjedisore, si dhe ndikimi i antibiotikëve që nga mosha e fëmijërisë.

“Që nga vitet ’70, është rritur ndjeshëm obeziteti, faktor i njohur rreziku për shumë lloje kanceri, përfshirë kanceret e sistemit tretës”, thuhet në studim.

Ushqimet e përpunuara, pijet e ëmbla, ulja e aktivitetit fizik dhe rritja e kohës para ekranit përmenden si faktorë shtesë. Ndërkohë, edhe prania e plastikës dhe kimikateve në ushqim dhe ujë shihet si faktor rreziku i mundshëm.

Një tjetër dyshim bie mbi mikrobiomën – ekosistemin e baktereve të zorrëve – që është ndryshuar nga përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve.

Zbulimi i vonuar, rreziku i lartë

Për dallim nga kanceri i zorrës së trashë që mund të zbulohet përmes kolonoskopisë, kanceri i apendiksit nuk ka ende teste rutinë.

“Fatkeqësisht, nuk kemi ende mjete të standardizuara për ta zbuluar herët. Kjo do të thotë se pacientët dhe mjekët duhet të jenë më vigjilentë”, thuhet në studim.

Simptomat si dhimbje të vazhdueshme barku apo fryrje të pazakonshme nuk duhet të injorohen, sidomos nga personat nën moshën 50 vjeç.

Si të parandaloni: Kujdesi ndaj vetes mbetet mbrojtja më e mirë

Edhe pse nuk ka mënyrë të sigurt për ta parandaluar, ekspertët këshillojnë një stil jetese të shëndetshëm: ushqyerje e pasur me fruta, perime dhe fibra, shmangie e duhanit dhe kufizim i alkoolit.

“Këto masa nuk e eliminojnë rrezikun, por janë mënyra, të cilat kanë dëshmuar që ruajnë shëndetin në përgjithësi”, theksohet në artikull.

Rritja e rasteve të kancerit të apendiksit shihet si pjesë e një trendi më të gjerë që përfshin edhe kancerin e zorrës së trashë dhe stomakut – dhe një sinjal se shëndeti i sistemit tretës është në krizë.

“Historia e këtij lloj kanceri është rikujtim se edhe sëmundjet më të rralla mund të bëhen më të zakonshme kur ndryshojnë stili i jetesës dhe mjedisi ynë”, përfundon raporti.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT