Publicisti dhe shkrimtari Ben Blushi, ka thënë se të gjithë ata që për arsye të ndryshme janë dashamirës të Hamasit, këto ditë duhet të jenë të çliruar.
Kjo pasi sipas Blushit, Hamasi po e fiton luftën në televizionet perëndimore, ku prej disa muajsh, ushtarët e tij nuk luftojnë më, i kanë lënë armët dhe janë kthyer në fotografë profesionistë.
“Videot dhe fotografitë e njerëzve të drobitur që mbajnë radhë për një pjatë me supë, po e lënë botën pa gjumë. Hamasi akuzon Izraelin se po ndëshkon me vdekje 2 milion banorët e Gazës, kurse Izraeli thotë se Hamasi se po i vjedh ushqimet për të sajuar lajme të rreme”.
“Të dyja janë të vërteta. Uria është një nga kapitujt kryesorë të çdo manuali lufte dhe këto dy ushtri janë në luftë vdekjeprurëse. Fëmijët e Gazës po e ndëshkojnë Izraelin, më shumë se terroristët e Hamasit”.
“Siç ndodh gjithmonë në Perëndim, kur qeveritë i marrin vendimet në studiot televizive, këto ditë Franca dhe Britania lajmëruan se do ta njohin shtetin palestinez”, shkroi Blushi, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se kjo manovër që sipas tij është më shumë kundër Izraelit se pro Palestinës, është një nga arsyet që e detyroi Izraelin të vendosë pushtimin e Gazës.
“Gaza është një zonë e rrënuar. Aty pothuajse nuk ka më rrugë, nuk ka ujësjellës, nuk ka ura, nuk ka siguri. Aty ka vetëm uri. Ky është përfundimi i luftës pa plan që nisi Hamasi dy vjet më parë kur masakroi 1200 njerëz që po kërcenin në një koncert”.
“Por edhe para luftës, Gaza dhe gjysma tjetër e Palestinës, Ëest Bank, i kishte kufinjtë tokësorë, ajrorë dhe detarë të kontrolluar nga Izraeli”.
“Për fat te keq, Palestina nuk përmbush dot asnjë kriter për t’u konsideruar një shtet i pavarur, siç e ka njohur Shqipëria antiperëndimore në vitin 1988”.
“Me pak fjalë Gaza do jetë një territor ku shtetet e pasura arabe do investojnë për ta rindërtuar dhe ku 2 milion banorët e saj do jetojnë duke punuar”, shkroi ndër të tjera Blushi.
Shkrimtari më tej u shpreh se ka shumë njerëz që e krahasojnë Palestinën me Kosovën, por sipas tij, nuk ka asnjë krahasim mes Kosovës dhe Palestinës.
“Ata thonë se edhe Kosova nuk kishte qenë asnjëherë shtet por u bë shtet nga Fuqitë e Mëdha. As Palestina nuk ka qenë asnjëherë shtet. Kjo është e vërtetë, por krahasimi territorial nuk mjafton. Për t’u bërë shtet nuk mjafton të kesh një territor”.
“Nëse kosovarët do ishin futur në territorin e Serbisë dhe do kishin masakruar mijëra fëmijë dhe gra duke i shpërndarë pamjet makabre me krenari në televizionet e botës, Kosova nuk do ishte bërë kurrë një shtet i pavarur”.
“Kosovarët u mbrojtën nga ushtria serbe me armë, por nuk i prekën fëmijët dhe gratë e tyre megjithëse i kishin shumë afër si komshinj”.
“Liderët e Kosovës që janë akuzuar për krime ndaj civilëve pa asnjë provë, u dorëzuan vetë, nuk u fshehën në tunelet e Drenicës dhe po presin gjykimin në mënyrë dinjitoze”.
“Sikur UÇK të kishte ndjekur rrugën e Hamasit, do ta kishte lënë Kosovën përjetësisht në Serbi dhe fara e terrorizmit të egër do ta kishte shkatërruar gjithë Ballkanin”, shkroi ai.
*Kolumnen e plotë të publicistit Ben Blushi mund ta gjeni në linkun më poshtë
The post NJË KRAHASIM MES PALESTINËS, KOSOVËS DHE MAQEDONISË appeared first on Klan Kosova.