Një burrë që fliste rusisht sulmoi verbalisht dhe fizikisht një familje që fliste gjuhën ukrainase me një fëmijë në një tren në Zvicër, duke i kërcënuar me vdekje.
Incidenti ka shkaktuar reagim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës, transmeton Telegrafi.
Incidenti ndodhi më 13 tetor në një tren që udhëtonte nga komuna zvicerane e Interlakenit për në qytetin Spiez. Ai shkaktoi vëmendje të gjerë në mediat sociale.
Sipas personave të prekur, sulmuesi u provokua duke i dëgjuar ata të flisnin gjuhën ukrainase.
“Kur dëgjoi se po flisnim ukrainisht, filloi të na fyente”, tha babai i familjes, prindërit e së cilës janë me origjinë nga Bjellorusia.
Nëna e regjistroi sulmin në video dhe e postoi atë në mediat sociale. Burri që fliste rusisht e kërcënoi vazhdimisht familjen me vdekje.
“Do t’ju vras të gjithëve – ju dhe familjen tuaj”, tha ai.
Ai gjithashtu ia rrëmbeu telefonin gruas kur ajo u përpoq të dokumentonte incidentin.
Babai e shtyu atë, pas së cilës ai u qetësua. Në stacionin e Spiez, familja dhe disa dëshmitarë raportuan sulmin në polici.
Policia e Kantonit të Bernës konfirmoi se incidenti ndodhi, por vuri në dukje se askush nuk u lëndua fizikisht në atë masë sa të kishte nevojë për trajtim mjekësor.
Hetimi është duke vazhduar. Si viktimat ashtu edhe sulmuesi kanë ndërmend të paraqesin ankesa.
Ministria e Jashtme e Ukrainës ka reaguar ndaj incidentit. Tykyi e quajti videon “të tmerrshme”.
“Gjuhë urrejtjeje dhe urrejtje etnike e papranueshme. Ne iu drejtuam forcave të rendit zviceran duke u kërkuar atyre të hetojnë incidentin dhe të sigurojnë llogaridhënie. Një sjellje e tillë nuk duhet të tolerohet”, tha ai. /Telegrafi/
У поїзді в Швейцарії російськомовний чоловік напав на сім’ю, яка розмовляла українською www.youtube.com