Një burrë nga New Yorku arrestohet pasi pranoi në një intervistë televizive se kishte vrarë prindërit e tij

Një burrë nga New Yorku arrestohet pasi pranoi në një intervistë televizive se kishte vrarë prindërit e tij

Një burrë amerikan është arrestuar pasi pranoi gjatë një interviste televizive se i kishte vrarë prindërit e tij.

Lorenz Kraus, 53 vjeç, u ndalua pasi doli nga studiot e WRGB në Albany, Shteti i Nju Jorkut, të enjten, ku pranoi se i kishte mbytur ata, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


Ai është akuzuar për dy akuza për vrasje dhe dy akuza për fshehje të një kufome njerëzore.

Kraus u deklarua i pafajshëm për akuzat të premten, ndërsa u paraqit në Gjykatën e Qytetit të Albany-t.

Kraus i përshkroi vdekjet e Franz dhe Theresia Kraus, të cilat ai tha se ndodhën “diku në gusht 2017”, si vrasje mëshire për prindërit e moshuar që po bëheshin më të dobët.

Kraus tha se babai i tij, i cili ishte 92 vjeç, nuk mund të ngiste më makinën pas operacionit të kataraktit, ndërsa nëna e tij 83-vjeçare ishte lënduar së fundmi nga rënia ndërsa kalonte një rrugë, por nuk tha nëse ndonjëri prej tyre kishte gjendje kërcënuese për jetën.

I pyetur nga intervistuesi Greg Floyd për të sqaruar nëse i kishte vrarë të dy, ai tha se “i kishte varrosur në pronën e tyre”.

Floyd pyeti: “I varrosët në pjesën e prapme të shtëpisë suaj në Albany?”.

Kraus tha: “Po”.

I pyetur nëse i kishte mbytur, ai tha: “Po, në thelb”.

Floyd pyeti: “Ata e dinin se kjo ishte për ta, se po vdisnin nga dora juaj?”.

Kraus u përgjigj: “Po. Dhe ndodhi kaq shpejt”.

Ai tha se prindërit e tij nuk kërkuan të vriteshin, por “ata e dinin se po shkonin drejt greminës”.

Arrestimi i tij erdhi një ditë pasi dy trupa u gjetën në shtëpinë e tyre në qytet nga detektivët që hetonin pse çifti ende merrte pagesa të sigurimeve shoqërore pavarësisht se nuk ishin parë ose ishte dëgjuar për ta prej vitesh.

Policia thotë se Kraus kishte mbledhur përfitimet e prindërve të tij dhe kishte përdorur fondet për përdorim personal.

Në intervistën gjysmë ore, Kraus tha: “Unë bëra detyrën time ndaj prindërve të mi. Shqetësimi im për mjerimin e tyre ishte parësor”.

Ndihmësja e Avokates Publike të Qarkut Albany, Rebekah Sokol, zyra e së cilës po përfaqëson Kraus, pranoi se intervista ishte “tronditëse”, por tha se dyshon se nuk është e pranueshme në gjykatë.

Ndërkohë një fqinje që jetonte pranë çiftit i tha NBC, partnerit amerikan të Sky, se vuri re se ata u zhdukën në qershor 2017.

Që atëherë, Kraus vizitonte rregullisht pronën për të mbledhur postë, për të kositur lëndinën dhe për të pastruar borën, por kur u pyet për prindërit e tij, ai i tha asaj se ata ishin zhvendosur në Gjermani. /Telegrafi/