Në episodin më të fundit të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, doktor Petrit Mulaku, tregoi një prej rasteve më të pazakonta që ka përjetuar në karrierën e tij.
Ky rast sipas tij nuk ka ndodhur në Kosovë, por në Emiratet Arabe, aty ku edhe ka ushtruar profesionin e tij një kohë të gjatë.
“Një rast i çuditshëm më ka ndodhur kur një prind e ka sjellë vajzën e vet duke thënë se e ka përbi brushën e dhëmbëve në lukth,” rrëfen doktori. “Me thënë të drejtën, menduam që po bënte hajgare me ne, pasi brusha e dhëmbëve nuk është objekt i vogël që të kalojë aq lehtë në lukth”.
Ai tha se në fillim e morën me dyshim rrëfimin e prindit, pasi situata dukej e pabesueshme.
“Ai erdhi duke qeshur dhe tha: ‘Vajze e ka një brushë në lukth’. U munduam ta qetësojmë dhe e pyetëm nëse ishte i sigurt për atë që thoshte. Por ai këmbëngulte që vajza e tij e kishte përbi me të vërtetë brushën”.
Pas një kontrolli me ultrazë, Mulaku tha se nuk u gjet ndonjë gjurmë konkrete, pasi materiali plastik i brushës nuk duket qartë në këtë lloj imazherie.
“I thashë: ‘Zotëri, vajzën duhet ta çosh te psikologu, nuk ke punë me ne.’ Por ai na tha me bindje se vajza nuk trillon dhe se e kishte përbi me të vërtetë brushën”, vazhdon doktori Mulaku.
Po doktor Mulaku tregoi se prindi nuk u dorëzua.
“Shkoi në një spital tjetër dhe kërkoi një CT të abdomenit, ku doli se në fakt brushën e dhëmbëve e kishte në lukth, ashtu siç kishte thënë që në fillim. U kthye dhe na tha: ‘E shikoni që është brushë?’ Dhe përnjëmend, ka qenë për ne e habitshme, sepse ishte diçka e pazakontë”.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com