Një 24-vjeçar kosovar kapet duke tentuar të korruptojë policinë në Durrës, procedohet penalisht

news image

Një tjetër rast i tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore është zbuluar në Durrës, duke e çuar në 23 numrin e drejtuesve të automjeteve të arrestuar ose proceduar për këtë vepër penale, raporton Gazeta Sinjali.

Në këtë rast, procedohet penalisht shtetasi A. A., 24 vjeç, banues në Kosovë. Ai drejtonte një kamion duke përdorur aparatin celular, duke u kthyer në rrezik për përdoruesit e rrugës, dhe tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore për të shmangur masën administrative për shkeljen e kryer.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit, gjatë monitorimit të akseve rrugore për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë, ndaluan në aksin “Tiranë–Durrës” drejtuesin e kamionit që po përdorte celularin gjatë lëvizjes.

“Në momentin e ndalimit, ai i ka ofruar para punonjësit të Policisë, me qëllim shmangien e ndëshkimit”, njofton Policia.

Materialet u referuan në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 24 vjeç, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/