Nisma e gatshme për bisedime me LVV-në, por me një kusht – largimi i Bashës

Nisma e gatshme për bisedime me LVV-në, por me një kusht – largimi i Bashës

Derisa kanë mbetur edhe dymbëdhjetë ditë kohë për formim të qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, deputetja e Nisma-s, Xhevahire Izmaku, se partia e saj “ka një përgjegjshmëri politike dhe s’ka asnjë arsye mos me qenë në tavolinë të diskutimit me LVV-në”.

Ajo thekson se nëse formimi i qeverisë së re varet vetëm nga tri votat e Nisma Socialdemokrate, “atëherë në raport me krijimin e institucioneve të reja nuk do të ketë kushte”.

Megjithatë, Izmaku për Kosova Press nënvizon nevojën që të “sqarohet pozita e kryetarit të Kuvendit”, pasi sipas saj, legjislativi nuk duhet të funksionojë me një figurë e cila ka krijuar përçarje.

Ndërkohë, Kurti dje tha se gjatë kësaj fundjave dhe pas analizës për zgjedhjet lokale do të nisë bisedimet për formimin e qeverisë së re. Por, gjatë ditës së sotme, kryeministri në detyrë deklaroi se ende nuk ka zhvilluar komunikime me ndonjë prej partive politike për formimin e qeverisë së re.

Ai theksoi se po e bëjnë një plan për një gjë të tillë në ditët në vijim.

“Tepër shumë punë këto ditë. Analiza e rezultateve nga qendrat. Duhet të shohim kontributet që kanë pasur fushatat në komuna me rezultatin që kemi arritur në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende të zhvilloj ato komunikime, por po e bëjmë një plan për këtë gjë. I kemi më shumë se dhjetë ditë”, tha ai.

Pavarësisht deklaratave të kryetarit të VV-së, i cili ka shprehur bindje të plotë se e ka shumicën parlamentare, ende nuk ka konfirmim të qartë nëse kjo parti i ka numrat për të formuar qeverinë, transmeton Klankosova.tv.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, është mandatuar për kryeministër nga presidentja, Vjosa Osmani më 11 tetor.

The post Nisma e gatshme për bisedime me LVV-në, por me një kusht – largimi i Bashës appeared first on Klan Kosova.