Nisja e dobët e kampionatit nga Drita, Ramadani kërkon reflektim ndaj Drenicës

Nisja e dobët e kampionatit nga Drita, Ramadani kërkon reflektim ndaj Drenicës

Ndeshja e mbetur e xhiros së dytë në Albi Mall Superligë ndërmjet Dritës dhe Drenicës do të zhvillohet nesër (e mërkurë) nga ora 15:00 në Gjilan.

Kampioni i Kosovës, Drita e ka nisur keq sezonin e ri, ku në tre ndeshjet e para ka marrë vetëm dy pikë.


Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani e vlerësoi kundërshtarin si ekip me traditë dhe të motivuar pas rikthimit në Superligë, por theksoi se Drita do të hyjë në fushë me synimin e vetëm, fitoren.

“Neve na intereson objektivi ynë. Nesër luajmë për herë të parë si vendas në këtë edicion dhe si kampionë na ka hije të angazhohemi maksimalisht. Synimi ynë është trepikëshi dhe e gjithë vëmendja është në Gjilan, sepse vetëm takimi ynë zhvillohet të mërkurën. Duhet të kemi në formë të gjithë futbollistët, pasi na presin shumë ndeshje, dhe shpresoj që nesër ta nisim me fitoren e parë të këtij edicioni,” tha Ramadani.

Tekniku shkupjan i Dritës shtoi se mbrojtja e titullit kërkon sakrificë dhe punë të madhe, por besimi në skuadër është i plotë.

“Për ta mbrojtur titullin duhet shumë djersë dhe angazhim. Kam shumë besim te ky ekip sepse kemi bërë sakrifica të mëdha dhe jam i bindur se do t’ia dalim”.

“Kemi një grup të kompletuar, ku secili futbollist di të shënojë, prandaj nuk varemi nga një lojtar i vetëm. Unë gjithmonë synoj që skuadra të kënaqë syrin e tifozëve dhe të shkojmë përpara me hapa të sigurt”, tha ndër të tjera Ramadani. /Telegrafi/