Tetë muaj pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare dhe pas konstituimit të Kuvendit të Kuvendit, tashmë kanë nisur zyrtarisht të rrjedhin afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.
Më 11 tetor, Albin Kurti kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, është mandatuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për formimin e qeverisë së re.
Si rrjedhojë Kurti do të ketë në dispozicion 15 ditë për të paraqitur përbërjen e kabinetit dhe programin qeverisës para Kuvendit të Kosovës.
I pyetur sot nga gazetarët rreth diskutimeve me partitë politike për formimin e qeverisë, Kurti paralajmëroi se këtë javë do të nis me takimet.
Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por jo mjaftueshëm për ta formuar vetë udhëheqjen e re.
Kurti ka afat që deri më 26 tetor të prezantojë para Kuvendit ekzekutivin e ri. Për zgjedhjen e tij kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar ditë më parë se LVV-ja mund të diskutojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës për ndonjë koalicion të mundshëm, pasi Nisma Socialdemokrate nuk ka qenë e interesuar të përfshihet në qeverisje.
Ndërkaq sot deputetja e Nismas, Xhevahire Izmaku tha se partia të cilës i takon ka një përgjegjshmëri politike dhe nuk ka asnjë arsye që të mos ulet në një tavolinë diskutimi me LVV-në dhe se nëse formimi i qeverisë së re varet vetëm nga tri votat e Nisma Socialdemokrate, “atëherë në raport me krijimin e institucioneve të reja nuk do të ketë kushte”.
Telegrafi ka hapur një sondazh për të marrë mendimet e qytetarëve se me kë preferojnë ata që Lëvizja Vetëvendosje të bëjë koalicion për të qeverisur vendin. Sondazhin e gjeni më poshtë dhe mund të shprehni mendimin tuaj duke votuar në njërin nga opsionet.
Nëse LVV-ja nuk arrin të formojë qeverinë, atëherë presidentja Osmani është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë për mandatarin e ri.
Edhe mandatari i ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit. /Telegrafi/