​Nis numërimi i votave për kandidatë të asamblesë komunale në Mitrovicë të Jugut

​Nis numërimi i votave për kandidatë të asamblesë komunale në Mitrovicë të Jugut

Në Qendrën e Numërimit “OMNI Sport” ka nisur numërimi i votave për asamblistë në Mitrovicën e Jugut.

Kryetari i KKZ-së në Mitrovicë të Jugut, Bajram Hajdari, tha për KosovaPress, se të gjitha materialet kanë arritur me kohë dhe presin që procesi i numërimit të kalojë pa probleme.


“Shpresoj se gjithçka do të shkoj mirë dhe mbarë. Tash është ndërrimi i dytë që kemi nisur. Nga dita e nesërme do të fillojmë me ndërrimin e parë dhe ndërrimin e dytë, kështu që shpresojmë që procesi të shkojë në mënyrën më mirë të mundshme…Materialet prej vendvotimeve kanë ardhur mbrëmë. Në ora tre e gjysmë të mëngjesit sot i kemi pranuar. Kemi të gjitha materialet e furnizuara nga KQZ-ja, kështu që nga aspekti teknik gjithçka është në rregull… Numri i monitoruesve janë dhjetë tavolina numërimi me nga katër numërues, subjektet politike kanë të drejtë nga një vëzhgues”, tha Hajdari.

Komuna e Mitrovicës së Jugut pritet të shkojë në balotazh për kryetar ndërmjet PDK-së dhe Vetëvendosje më 9 nëntor.

Në garën për asamble komunale sipas rezultateve preliminare të KQZ-së prin PDK-ja me 40.43 për qind, pasuar nga VV me 22.67 për qind.

Partia Guxo renditet e treta 12.89 për qind, LDK-ja e katërta 11.94 për qind, Aleanca Kosova e Re (AKR) 3.63 për qind, Forca e Diasporës 1.93, Nisma 1.77, AAK 1.58, Forca e Re Kombëtare 1.21, Alternativa 1.06 dhe KDPT me 0.88 për qind.