I fitoi më shumë se 100 tenderë nga Komuna e Shtimes nga viti 2021, e për to mori mbi 7.2 milionë euro, por se si e kur do t’i përfundojë të gjitha këto projekte, askush nuk e di.
Të enjten e 8 janarit, pronari i kompanisë “Ardhmëria”, Dashnim Jashari, u dakordua me Kiks Kosovën për intervistë lidhur me kapacitetet e kompanisë së tij për të fituar dhe për t’i kryer të gjitha këto projekte.
Megjithatë, ditën e intervistës, ai ndryshoi mendje. Jashari të premten e 9 janarit, i tha emisionit se e gjithë kompania e tij është në pushim deri në fund të muajit.
Ani pse në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve nuk figuron asnjë e dhënë për adresën e kompanisë, ekipi i emisionit gjeti vendndodhjen e saj dhe pa se aty po punohej.
Megjithëse, gazetarëve iu tha se pronari nuk ndodhet aty, Kiksi kuptoi se kompania ka vetëm 30-40 punëtorë.
Për këtë rast, para kamerës së Kiksit nuk pranoi të fliste as kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, gjatë mandatit të së cilit, për më pak se 4 vjet, kjo kompania fitoi hiç më pak se 88 tenderë.
Nga Zyra për Informim në këtë komunë, përmes një përgjigje në e-mail i thanë emisionit se kompania “Ardhmëria” ka përmbushur kriteret ligjore të kërkuara në tender.
Në përgjigjen e Komunës së Shtimes thuhet se ky institucion trajton në mënyrë të barabartë të gjithë operatorët ekonomikë.
Nga Zyra për informim e mohojnë se kryetari Qemajl Aliu apo ish-kandidati i VV-së për kryetar të Shtimes, Ruzhdi Jashari, kanë ndikuar që kompania e Dashnim Jasharit t’i fitojë 88 tenderë për më pak se 4 vjet.
Kompania e nipit të kandidatit të VV-së fiton 88 tenderë gjatë mandatit të Qemajl Aliut (VIDEO)


