Anëtari i Nismës Socialdemokrate, Artan Nimani, u shpreh se nuk beson se do të ketë tejkalim të krizës politike pa marrëveshje politike të shkruar.
Nimani tha se në bazë të aktgjykimit të Kushtetueses, partia e parë e dalë nga zgjedhjet, Lëvizja Vetëvendosje, obligohet që të krijojë kompromis dhe konsensus për tejkalim të krizës.
“I takon Kurtit që të bëjë përpjekje maksimale që ta tejkalojë krizën. Të paktën në opinionin publik nuk është parë që ka pasur përpjekje më aktiv, ndonëse edhe roli i presidentes ka hyrë në lojë dhe besoj që janë krijuar premisat për t’u tejkaluar kriza, në rast se Gjykata Kushtetuese s’merr ndonjë veprim tjetër me kërkesat e partisë së dytë dhe të tretë”.
“Në rast se nuk do të ketë ndonjë masë të caktuar, mendoj se do të kemi një zgjidhje të shpejtë të ngërçit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Data 26 apo 27 është data e fundit që 120 deputetët e parlamentit të mos bëhen shkelës të Kushtetutës”, tha Nimani në Edicionin Special në Klan Kosova.
Tutje, ai u shpreh se janë dëshmitarë që Kushtetuesja i ka liruar nga detyra dhe i ka dërguar në shtëpi dy presidentë së paku.
“Tash se cili do të jetë veprimi i shkelësve të Kushtetutës, jemi dëshmitarë që kjo Gjykatë Kushtetuese i ka liruar nga detyra dhe i ka dërguar në shtëpi dy presidentë së paku. Fajësia është tek ai që e ka rolin për të ndërtuar institucionin, që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje”, tha ai.
The post Nimani: Janë krijuar premisat për të dalë nga ngërçi (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.