Rio Ngumoha ka nënshkruar kontratën e tij të parë profesionale me Liverpoolin, dhe paga e tij ka pësuar një rritje të madhe.
17-vjeçari, që më parë ishte në një marrëveshje si lojtar akademie me një pagë prej vetëm 16,700 euro në vit, tani do të përfitojë 60,000 euro në sezon, maksimumi i lejuar për një profesionist të vitit të parë sipas rregullave të FA-së.
Përveç kësaj, ai ka të drejtë të përfitojë bonuse shtesë në bazë të paraqitjeve dhe performancës.
Ky ndryshim i madh në pagë është një tregues i qartë i besimit që Liverpooli ka te ai.
Ngumoha ka impresionuar menjëherë në ekipin e parë dhe është kthyer në një opsion të rëndësishëm për trajnerin Arne Slot në krahun e majtë të sulmit.
Pas largimit të Luis Diaz drejt Bayern Munich, klubi nuk solli asnjë zëvendësues të ri, duke i hapur rrugën Ngumohas të marrë më shumë hapësirë në fushë.
Ai iu bashkua Liverpoolit verën e kaluar nga Chelsea si lojtar i lirë, një lëvizje që ka shkaktuar tension mes dy klubeve.
Chelsea beson se ka humbur një “talent gjeneratash” dhe ka kërkuar që një panel i Ligës Premier të vendosë për kompensimin që i takon.
Rasti është ende në pritje të një vendimi, por zhvillimi i shpejtë i Ngumohas dhe rritja e tij në vlerë mund të ndikojnë në favor të kërkesës së klubit londinez.
Zemërimi i Chelseat shkoi deri aty sa ndaloi vëzhguesit e Liverpoolit të marrin pjesë në ndeshjet e akademisë së tyre.
Ndërkohë, një nga trajnerët e parë të Ngumohas te Chelsea, Saul Isaksson-Hurst, e kishte parashikuar qysh herët potencialin e tij, duke e quajtur një kandidat të mundshëm për të fituar Topin e Artë në të ardhmen. /Telegrafi/