Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj Muhamer Mahmutit dhe Inan Mahmutit, të cilët ndodhen nën paraburgim, si dhe ndaj F.H., i cili është në arrati, për dyshimin e kryerjes së veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar të narkotikëve”, sipas nenit 267 lidhur me nenin 275 të Kodit Penal të Kosovës.
Ngjarja ka ndodhur më 2 prill, kur njësitë policore ndërhynë në një shtëpi në rrugën “Enver Hadri” në Prizren, ku u arrestua Muhamer Mahmuti dhe u konstatuan pajisje për kultivim të drogës. Bastisjet u zgjeruan edhe në lokacione të tjera, ku u arrestua Inan Mahmuti.
Gjatë operacionit janë sekuestruar pajisje për kultivim, një bimë kanabisi, substanca të dyshuara narkotike, një armë zjarri me municion dhe automjete.
Burimet bëjnë me dije se të dyshuarit paraprakisht kishin asgjësuar rreth 300 bimë kanabisi duke i djegur në një lokacion afër autostradës.
Pas intervistimit, të dy të dyshuarit u mbajtën për 48 orë në ndalim, ndërsa hetimet për F.H., i cili ndodhet në arrati, vazhdojnë.
Për këtë rast ka raportuar paraprakisht Sinjali në mëngjesin e sotëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


