Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq, nën dyshimet për përfshirje në një incident të dhunshëm ndaj gazetarëve gjatë protestave në komunën e Leposaviqit, në vitin 2023.
Sipas aktakuzës së ngritur, ai akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Ngjarja kishte ndodhur më 16 qershor 2023, gjatë kohës kur ishte zhvilluar një protestë kundër vizitës së ministrit në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Elbert Krasniqi. Gjatë daljes së ministrit nga objekti i komunës, persona të maskuar kishin hedhur mjete shpërthyese – të njohura si shok-bomba – ndërkohë që, sipas Prokurorisë, pas largimit të veturës zyrtare, Simiq dyshohet se kishte dhënë urdhër për të sulmuar ekipet mediatike.
“Pasi ka kaluar vetura zyrtare, Simiq akuzohet se i ka dhënë urdhër turmës që t’i sulmojnë mediat dhe mediat janë sulmuar me shok-bomba, gruste, shqelma e mjete të forta. Janë lënduar dy gazetarë”, thuhet në aktakuzë.
Përveç tij, Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj të pandehurit tjetër, U.V., për veprën penale “Sulm” dhe “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale”.
Ndërkohë, deputetët e Listës Serbe janë nën hetim për disa raste të tjera. Ditë më parë, Prokuroria Speciale ka ftuar për intervistim kryetarin e Listës Serbe, Zlatan Elek, dhe vetë Slavko Simiq, për tri vepra penale të ndryshme. Po ashtu, deputeti Igor Simiq ka njoftuar se është ftuar për intervistim në lidhje me ngjarjet e dhjetorit 2022.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!