Ngjyra që prish gjumin: pse duhet ta hiqni nga dhoma e gjumit

Ngjyra që prish gjumin: pse duhet ta hiqni nga dhoma e gjumit

Ekspertët zbulojnë se cilat ngjyra nxisin relaksimin dhe cilat mund të prishin cilësinë e gjumit në dhomën tuaj

Mënyra si është e mobiluar dhoma e gjumit luan një rol vendimtar në pushimin tonë. Rendi i mobileve, përzgjedhja e materialeve dhe, mbi të gjitha, paleta e ngjyrave ndikojnë drejtpërdrejt në qetësinë e trupit dhe mendjes.


Ekspertët e dizajnit të brendshëm theksojnë se ngjyrat nuk janë vetëm element estetik, por faktor psikologjik që formëson disponimin dhe ndjenjën e rehatisë në hapësirë.

Ngjyrat që duhen shmangur

Sipas Kate Duffy, eksperte e arredimit të brendshëm, hapi i parë është të mendoni për atmosferën që doni të krijoni. Shumica e njerëzve duan qetësi dhe ndjenjë relaksi, ndaj është mirë të shmangni tonet e ftohta dhe pa jetë, që krijojnë ndjesi të distancës apo ftohtësisë emocionale.

Nuancat gri ose të bardha me nënton të ftohtë shpesh japin përshtypjen e sterilitetit, madje edhe të trishtimit. Në vend të tyre, ekspertët këshillojnë tonet e ngrohta neutrale ose tokësore, që sjellin ndjesi ngrohtësie, rehatie dhe natyraliteti, transmeton Telegrafi.

shutterstock

Ngjyrat e ndezura si e verdha e fortë, rozë apo jeshile e gjallë mund t’i japin dhomës energji, por nëse dominojnë muret, ato mund të shkaktojnë nervozizëm dhe vështirësi në relaksim. Përdorini vetëm në detaje – si jastëkë dekorativë, perde ose tablo për të sjellë gjallëri pa prishur harmoninë.

E kuqja, ndonëse shpesh lidhet me pasionin dhe romantikën, është ngjyrë stimulante që mund të ngrejë nivelin e energjisë dhe të pengojë gjumin. Studimet tregojnë se nxit edhe oreksin, prandaj nuk është zgjedhje e mirë për hapësira të destinuara për pushim.

shutterstock

Si të neutralizoni ngjyrat e papërshtatshme

Nëse muret tashmë janë lyer me ngjyra jo të përshtatshme, efekti i tyre mund të zbutet me mobilie të mëdha që mbulojnë sipërfaqe dominuese, me piktura ose pasqyra që krijojnë ekuilibër vizual.

Gjithashtu, ndriçimi i ngrohtë dhe difuz mund të ndryshojë ndjeshëm mënyrën si perceptohet ngjyra në dhomë, duke e bërë atë më të butë dhe qetësuese.

shutterstock

Ngjyrat që ndihmojnë gjumin e mirë

Ekspertët rekomandojnë tonet e buta të kaltrës, që qetësojnë mendjen dhe krijojnë ndjesi sigurie.

Bezha dhe tonet rërorë sjellin ngrohtësi dhe stabilitet, ndërsa livanda, vjollca e hapur dhe jeshilja ulliri janë ideale për të krijuar një atmosferë të balancuar e natyrore.

Për ata që duan një prekje romantike, rozë e zbehtë apo nuanca pudre janë zgjedhje perfekte – delikate, të balancuara dhe plot finesë. /Telegrafi/