Një përleshje mes tre vëllezërve ka përfunduar me dhunë të rëndë paraditen e sotme në Tiranë. Policia njofton se një 29-vjeçar ka plagosur me thikë dy vëllezërit e tij, të moshës 27 dhe 20 vjeçar, raporton Sinjali.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00, në rrugën e Paskuqanit, ku, sipas policisë, konflikti ka shpërthyer për motive të dobëta. Efektivët e Komisariatit Nr. 5 ndërhynë menjëherë, duke bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar dhe shoqërimin e tij për procedura të mëtejshme.
“Rreth orës 11:00, në rrugën e Paskuqanit, dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi E. M., 29 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë), vëllezërit e tij shtetasit Z. M., 27 vjeç dhe A. M., 20 vjeç. Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku si rezultat i veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, shtetasit E. M., dhe shoqërimin e tij, në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale. 2 shtetasit e dëmtuar ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Dy të plagosurit po marrin trajtim mjekësor në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!