Zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit, përçarjet brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe dorëheqja e ministrit Liburn Aliu, ishin temë diskutim mbrëmë në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës.
Për dorëheqjen e Liburn Aliut, me arsyetimin e zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar kuvendi, gazetari Berat Buzhala tha se ia pranon Aliut faktin që ka reaguar për Bashën, transmeton Klankosova.tv.
“Ajo që nuk ia pranoj është ndër vite, ku ishte Liburni kur ishte Martin Berishaj, ku ishte Liburni kur kanë ndodhur plot emërime dhe plot skandale të mëdha gjatë kësaj kohe. E kemi ditur se ekziston një ftohje e raporteve mes Liburnit dhe Albinit, bile ndoshta e para ka qenë kur Albini ka filluar të përzihej në zgjedhjet në Luginë të Preshevës dhe doli Liburni ku tha se nuk është mirë të përzihemi kurrkund në zgjedhje. Liburni është pesha e fundit e rëndë në Vetëvendosje. Është edhe Glauku, i cili me gjasë e ka zgjedhur një rrugë pak më të butë. Secila pozitë, pas kryetarit të kuvendit, që do të kishte sens për Glaukun është pozita e presidentit”, tha Buzhala.
Tutje, Buzhala tha se zanafilla e parë e prishjes së raporteve mes kryeministrit në detyrë, njëherësh kryetarit të VV-së, Albin Kurtit e Aliut janë paratë, teksa u thirr në burime tha se kur i ka ndarë tenderët, Aliu nuk është “konsultuar aq sa duhet” me Kurtin.
Buzhala, ka treguar edhe një rast ku tha se ishin gati të përplaseshin fizikisht me ish-ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliun. Sipas Buzhalës, përplasja fizike ishte afër të ndodhte për shkak të kritikave të tij ndaj kreut të VV-së, Albin Kurtit.
Nga ana tjetër, analisti Rrahaman Paçarizi tha se as Kurti nuk e ka besuar që dikush e voton për kryekuvendar Bashën.
Derisa, lidhur me votimin e Bashës nga PDK, Paçarizi tha se kjo parti “ra nga provimi”, duke shtuar se Kurti po i “fut në valle, dhe partitë e tjera po kcejnë”.
E sipas analistit Dardan Sejdiu, Liburn Aliu prej momentit që nuk ishte në Kryesi, ai ka lëvizur nga Lëvizja Vetëvendosje, përcjell Klankosova.tv.
“Po besoj që z.Aliu prej momentit që nuk është në Kryesi të Lëvizjes Vetëvendosje, ka lëvizur nga Vetëvendosja. Mendoj që hapat që janë marrë prej atij momenti, mosfutja në listë, njëfarë mosparaqitje publike fort e madhe, dorëzimi total i Ministrisë në duart e Hysen Durimisht, po besoj që kjo tregon që Liburni pak a shumë edhe nuk ka qenë as në vendimmarrje, as në diskutim e as në ndonjë lloj angazhimi të mirëfillt politik të natyrës çfare ka ditur ta ketë Liburni”, u shpreh Sejdiu.
Ndërsa opinionisti Ilir Deda ka ngritur pikëpyetjet e veta se çfarë me të vërtetë po ndodh në politikën vendore.
“A ka dashtë me ba blof Albini apo jo, le t’ia sqarojë ai partisë së vet. Nëse ka njerëz me integritet, ata duhet me fillu me diskutu brenda se çka o ka ndodh. Unë diçka nuk po shoh këtu”.
Deda tha që arsyetimet janë të kota kur bëhet fjalë për substancën e vendit.
“More neve s’na interesojnë arsyetimet e kota që kanë të bëjnë me substancën e këtij shteti. Krejt opozita bashkë ka mujtë me votu kundër. Me thanë: na e kemi kriju shtetin. Na e kemi nënshkru kontratën me Perëndimin, me ekzistu si shtet i lirë, pjesë bazike e këtij shteti është mulitetniciteti i qetij veni. Juve s’po ju pëlqen, s’kemi çka me bo”, u shpreh ai në Rubikon.
The post Nga zgjedhja e Bashës si kryekuvendar deri te dorëheqja e Aliut – “Trazohen ujërat” brenda VV-së appeared first on Klan Kosova.