Kontratat që përsëriten nuk duken rastësi, sidomos kur paratë publike dhe ato partiake lidhen me të njëjtët emra. Në një vit me shpenzime rekord dhe deficit, del në pah një rrjet kontraktorësh që punojnë si me Lëvizjen Vetëvendosje, ashtu edhe me institucione që ajo drejton.
Shpenzimet për mallra dhe shërbime zbulojnë kompani që përsëriten çdo vit, disa prej tyre aktive edhe në ministri dhe ndërmarrje publike. Në raport përmenden dhjetëra kompani pa sqarime të detajuara për shërbimet, raporton Kiks Kosova.
“Moviola” ka marrë mbi 29 mijë euro nga VV dhe kontrata të tjera, përfshirë një nga Ministria e Mjedisit (rreth 68 mijë euro për 24 muaj). Po ashtu ishte përfshirë në një tender të MPJD-së që më pas iu dha një kompanie tjetër.
“Rikon” ka marrë pagesa nga VV dhe një kontratë kornizë mbi 1.5 milion euro nga AQP. “UBO Consulting” është paguar nga VV dhe ka fituar tender nga Ministria e Brendshme. “Airvoyage” ka përfituar për bileta udhëtimi si nga VV, ashtu edhe nga Zyra e Kryeministrit përmes një kontrate të përbashkët.
“Telkos” dhe “Zgatar Electronics” po ashtu rezultojnë me pagesa nga VV dhe kontrata publike në institucione shtetërore.
Ndër përfituesit më të mëdhenj është “My Print”, me mbi 235 mijë euro nga VV në një vit dhe dhjetëra mijëra euro në vitet tjera. Kjo kompani ka marrë edhe kontrata publike, përfshirë nga Posta e Kosovës, dhe ka bashkëpunim të dëshmuar publikisht me zyrtarë të VV-së.
Në ndërkohë, më 28 janar 2025, zyrtarja e Vetëvendosjes, Dejona Mihali, kishte publikuar fotografi me Kujtim Zherkën, duke konfirmuar bashkëpunimin për publikimin e programit të partisë. Në postimin e saj në Facebook, Mihali kishte theksuar se materiali ishte shtypur nga “My Print” në Kosovë.
“Zotimet dhe programet e reja | Kurti 3 Programi ynë i shtypur në letër të riciklueshme nga MYPRINT në Kosovë. Kopertina është punuar nga ekipi i mjeshtrit Kujtim Zherka. Si përmbajtja me plot vëmendje për çdo grup shoqëror edhe libërthi që do të vi në duart tuaj është i punuar me plot zemër dhe virtuozitet. Sepse programi i Lëvizjes është gjithnjë programi i jetëve që janë përkushtuar për atdheun”, ka shkruar Mihali, postimi i të cilës ndodhet edhe në profilin në Facebook të Zherkës.
Ai po ashtu duket të jetë mbështetës i kësaj partie. Kjo bazuar në faktin se në vitin 2021 kishte publikuar një fotografi të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Ndërkohë, nuk vërehet të ketë publikuar fotografi apo statuse në përkrahje të subjekteve të tjera politike.
Hulumtimi ngre dyshime për një rreth të njëjtë kompanish që operojnë paralelisht mes partisë dhe institucioneve shtetërore.
Detajet i gjeni në kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova në vijim:


