Nga vuajtja në rilindje: Historia frymëzuese e Ramiz Brahimajt para “UFC 320”

Nga vuajtja në rilindje: Historia frymëzuese e Ramiz Brahimajt para “UFC 320”

Luftëtari shqiptar i UFC-së, Ramiz Brahimaj, po përjeton një moment transformues në karrierën e tij. Para përballjes me Austin Vanderford në “UFC 320” në T-Mobile Arena, ai foli me sinqeritet për rrugëtimin, duke e krahasuar atë me një “mozaik” që formohet nga çdo përvojë e jetës — e mirë apo e vështirë.

“Ndonjëherë gjithçka duhet të shembet që të mund të rindërtohet. Kam kaluar shumë sprova, por çdo pengesë më ka ndihmuar të rritem. Edhe kur më hodhën baltë, unë u rrita përmes atyre çarjeve”.


Pas dy fitoreve bindëse me përfundim të hershëm ndaj Mickey Gall dhe Billy Ray Goff — që i siguruan dy çmime “Paraqitja më e mirë e natës”, 32-vjeçari me origjinë nga Kosova po kalon një fazë të artë.

Ai stërvitet në “Valle Flow Striking” në Chicago përkrah kampionit Belal Muhammad dhe yjeve si Ignacio Bahamondes, duke u përgatitur për sfidën e radhës me besim dhe qetësi të plotë.

“Sot nuk dua t’i bind të tjerët me fjalë. Dua t’ua tregoj me vepra se kush jam. Çdo gjë që kam arritur është fituar me djersë. Siç thotë babai im, edhe pjesa më e vogël që mungon e ndryshon mozaikun. Kështu është edhe jeta ime — çdo përvojë, çdo betejë, më ka bërë atë që jam sot”.

“Kur të ngre dorën pas fitores më 4 tetor, do të jetë pjesa e fundit e këtij mozaiku — dëshmia e punës sime, e artit tim”, përfundoi Brahimaj me bindje./Telegrafi/