Malisheva po tregon se është një ekip që nuk dorëzohet lehtë. Pas disa javëve të para jo bindëse, skuadra ka gjetur stabilitet dhe identitet nën drejtimin e Elon Berishës. Një nga lojtarët që e ka ndier më shumë këtë ndryshim është mbrojtësi i majtë, Arlind Veliu, i cili po kontribon me gola dhe paraqitje të shkëlqyera.
Në një intervistë për Telegrafin, Veliu flet për formën e tij personale, rezultatet e deritanishme të Malishevës dhe objektivat që ka me klubin këtë sezon.
Pas 16 ndeshjeve të zhvilluara deri më tani, Malisheva renditet e katërta në tabelë me 25 pikë, vetëm katër më pak se lideri Ballkani që ka 29 sosh – jo keq për një skuadër që nuk dinte për fitore në tri xhirot e para të kampionatit.
“Është e vërtetë që fillimi i sezonit nuk ishte aq i mirë, mirёpo me kalimin e kohës arritëm ta gjejmë formën dhe ritmin e duhur, si dhe t’i përmirësojmë paraqitjet tona si ekip”, ka thënë fillimisht Veliu.
Nuk është e zakonshme për një mbrojtës krahu që të shënojë gola, por Veliu e bëri dy herë në ndeshjen ndaj Drenicës. Merita për këtë 24-vjeçari i atribuon edhe trajnerit Elon Berisha, për të cilin tha se ka një raport të mirë me të si ai dhe bashkëlojtarët dhe kjo ka sjellë frytet e saj me rezultate pozitive.
“Normalisht që jam shumë i kënaqur me paraqitjen time ndaj Drenicës, por mbi të gjitha jam më i kënaqur me fitoren e ekipit. Gjithashtu, jam i kënaqur edhe me performancat e deritanishme gjatë këtij sezoni”.
“Me trajnerin e ri kam një raport shumë të mirë profesional dhe personal, ashtu si edhe pjesa tjetër e ekipit. Këtë e dëshmon puna dhe rezultatet që kemi arritur deri tani, dhe shpresojmë të vazhdojmë në këtë mënyrë”.
Veliu tutje shtoi se objektivi kryesor i Malishevës këtë sezon është dalja në Evropë, duke përmendur gjithashtu edhe ekipet që ai i sheh si rivalët më të fortë të klubit në këtë drejtim.
“Objektivat e Malishevës janë rezultatet pozitive në çdo ndeshje. Ashtu si dy sezonet e fundit, kur kemi luftuar për një pozitë që na dërgon në garat evropiane, synojmë edhe këtë sezon”.
“Rival kryesor, përveç kampionit në fuqi Dritës, janë ekipet që po performojnë mirë këtë edicion si Prishtina, Ballkani dhe Dukagjini, por nuk përjashtojmë as ekipet e tjera, pasi çdo ndeshje ka rëndësi maksimale për ne”.
Xhiron e ardhshme Malisheva do të luajë në udhëtim te Llapi, kundërshtar të cilin nuk kanë arritur ta mposhtin në asnjë nga tri ndeshjet e fundit.
Veliu u shpreh tejet i motivuar për t’i dhënë fund kësaj serie negative dhe për të vazhduar ecurinë pozitive të rezultateve.
“Ndeshja kundër Llapit padyshim do të jetë shumë e rëndësishme dhe motivi është maksimal për të dhënë më të mirën tonë, për të marrë pikët e plota dhe për të vazhduar këtë ecuri pozitive të ndeshjeve të fundit”, përfundoi ai./Telegrafi/


