Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka bërë të ditur se nga kjo e premte mund të aplikoni për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se 80 euro do të ndahen për nxënësit nga klasa I deri në klasën V, për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, kurse 80 euro për nxënësit nga klasa VI deri në klasën IX do të ndahen vetëm për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore.
MASHTI shtoi se tekstet shkollore për nivelin VI-IX , sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 13/2016 për pajisjen, përdorimin dhe ruajtjen e tyre, do të përdoren nga gjenerata e kaluar, siç është praktikuar edhe vitin e kaluar.
“Procesi i aplikimit këtë vit do të jetë shumë më i lehtë, pasi llogaritë bankare të prindërve janë aktive nga vitet paraprake. Ashtu si në dy vitet e kaluara, mjetet financiare do të transferohen në xhirollogaritë bankare të prindërve”, thuhet në njoftim.
MAShTI pohoi se Drejtoritë Komunale të Arsimit janë njoftuar me kohë dhe çdo aplikim do të verifikohet nga shkolla përkatëse përpara transferimit të mjeteve. /Klankosova.tv
The post Nga sot mund të aplikoni për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore appeared first on Klan Kosova.