E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Anu Prattipati, është takuar gjatë ditës me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për të cilin tha se e ka lënë të kuptojë se ai bashkë me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, po shqyrtojnë mundësitë t’i përjashtojnë disa nga partitë politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Prattipati tha është shumë me rëndësi që serbët e Kosovës të përfshihen në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara për çdo tentim që limiton zgjedhjet në zgjedhjet e tyre,
“Me kryeministrin në detyrë kemi diskutuar për veprimet, që kuptojmë se kryeministri në detyrë dhe Lëvizja Vetëvendosje po shqyrtojnë t’i përjashtojnë disa nga partitë politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të ardhshme”.
“Është shumë me rëndësi që serbët e Kosovës të përfshihen në këtë proces dhe jemi të shqetësuar për çdo tentim që limiton zgjedhjet e tyre. Ia kam bërë të qartë këto pika kryeministrit në detyrë dhe kam nënvizuar vëmendjen e SHBA-së për këtë çështje”, tha ajo pas takimit, njofton Klankosova.tv.
Shqetësimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u bë realitet meqë pasdite, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim që të mos e certifikoj Listën Serbe për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, e cilësoi Listën Serbe si organizatë terroriste, teksa tha se në këtë parti ka persona që kanë marrë pjesë në sulme terroriste ndaj Kosovës.
“Në mesin e tyre gjenden edhe individë që punojnë kundër Republikës së Kosovës, duke mbajtur pozita në organet paralele të Serbisë, por njëkohësisht edhe në institucionet tona. Përveç kësaj ka elemente të tjera, persona që kanë marrë pjesë në sulme terroriste”, tha Kurteshi, njofton Klankosova.tv.
Ai në mbledhjen e KQZ-së prezantoi disa dokumente të cilat sipas tij, vërtetojnë se kandidati i Listës Serbe për kryetar të Novobërdës, Sasha Millosheviq, e mban pozicionin e kryetarit të komunës paralele të Gjilanit.
“Këtu kemi një dokument tjetër në të cilin Sasha Millosheviq nënshkruan dokumente në cilësi të punëdhënësit të shtetit të Serbisë për punësim të personave në fshatin Koretisht, këto janë fshatra afër Gjilanit të banuar me shumicë serbe”, tha Kurteshi.
Pas dokumenteve të prezantuara nga Kurteshi, diskutimet vazhduan, ku anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, tha se do të abstenojnë në certifikimin e Listës Serbe derisa nuk kanë veprimet nga institucionet e sigurisë që ua tregojnë rrugën që duhet të ndiqet për këtë parti.
Ndërsa anëtarja e Listës Serbe në KQZ, Gordana Llaban, pas fjalëve të Kurteshit tha se mendon se asnjë serb më nuk do të mbetet serb pa u quajtur terrorist apo kriminel.
Më intereson nëse i keni kontrolluar kështu listat e çdo partie. A ka kriminelë në ndonjë parti tjetër, apo janë të gjithë vetëm në Listën Serbe? Nuk mund ta lejoj që populli serb në Kosovë të barazohet me një numër terroristësh apo kriminelësh. Organet që janë përgjegjëse për këtë, le t’i ndjekin kriminelët dhe le t’i arrestojnë, por nuk mund të barazohet i gjithë populli serb me kriminelët”, tha Llaban, duke iu drejtuar Kurteshit.
E, Kurteshi iu kundërpërgjigj duke i thënë se nuk e cilëson popullin serb si terrorist por tha se “Lista Serbe ka të kaluar dhe të tashme terroriste”.
Kur erdhi koha për hedhje në votim, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarja e Listës Serbe, Gordana Llaban votuan pro certifikimit të kësaj partie, ndërsa kundër votuan dy anëtarët e VV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kurse abstenuan anëtarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
The post Nga shqetësimi i Amerikës në realitet – si nuk u certifikua Lista Serbe për zgjedhjet lokale? appeared first on Klan Kosova.