Nga: Mzia Amaglobeli / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Qelia ime është e lyer me ngjyrë të gjelbër, e njëjta ngjyrë që dikur përdornim në redaksi. Dy banka dhe një tavolinë janë të ngjitura në dysheme. Asgjë nuk lëviz. Shtrati është i ngushtë, por ende nuk kam rënë prej tij. Kur isha e lirë, por e vetëdijshme se arrestimi im ishte i pashmangshëm, bëja shaka duke thënë se burgu do të ma ofronte kohën që gjithmonë më ka munguar – më në fund do të mund të lexoj. Por, këtu, në Koloninë për Gratë nr. 5 të Rustavit, pothuajse kam humbur shikimin. Ndaj, tani shkruaj në errësirë gjithnjë e më të thellë, për errësirën që po zbret mbi vendin tim, Gjeorgjinë.
Dritarja e vetme në qeli ndodhet lart, pranë tavanit. Në ditëlindjen time të pesëdhjetë, miqtë dhe kolegët e mi u mblodhën në një kodër përballë burgut, duke mbajtur postera dhe tullumbace. Hipa mbi një karrige, por nuk mund të shihja mirë. Më pas i pashë përshëndetjet e tyre në lajme.
Në tetë muajt e fundit, kjo ka qenë jeta ime nën regjimin shtypës të Gjeorgjisë – një regjim që synon të heshtë gazetarët, të fshijë çdo formë kundërshtimi dhe të na thyejë shpirtin. Më 12 janar 2025 u arrestova nën akuzën e “sulmit ndaj një zyrtari policor” gjatë një proteste. Kalova gati shtatë muaj në paraburgim, derisa çështja u shqyrtua. Më 6 gusht, gjykatësi e riklasifikoi akuzën dhe në fund u shpalla fajtore për rezistencë ndaj policit, duke u dënuar me dy vjet burg. Kjo më jep, në mënyrë të paqarë, nderin e të qenit gazetarja e parë grua që burgos në Gjeorgji për arsye politike – që nga pavarësia e vendit në vitin 1991. Ma ofruan një marrëveshje për pranimin e fajësisë në këmbim të një dënimi më të lehtë – por, e refuzova. Të pajtohesh me padrejtësinë do të thotë të varrosesh për së gjalli.
Duhej të gjeja mënyra të reja për të protestuar ndaj padrejtësisë që më është bërë nga ky regjim. Më kujtohet kur preva bishtalecin tim pak pasi u arrestova. M’i lanë një palë gërshërë për dy minuta, duke qëndruar në derën e qelisë dhe duke më parë me kujdes. Atëherë më ofruan shumë gjëra, por mora vetëm 10 litra ujë. Isha në grevë urie në 38 ditët e para. Tani po e shkruaj këtë letër për ta dërguar në redaksinë e Batumelebi-s, medias që kam bashkëthemeluar, ku miqtë dhe kolegët e mi vazhdojnë betejën në mungesën time.
Kam momente dobësie. Ndonjëherë më mbushen sytë me lot. Por, përpiqem të mos qëndroj gjatë në atë gjendje. E vërteta është se nuk kam zgjidhje tjetër: ky pushtet ilegjitim po përpiqet të asgjësojë gazetarinë – profesionin të cilit ia kam kushtuar 25 vjetët e jetës sime. Kolegët e mi janë në rrezik vdekjeje vetëm sepse bëjnë punën e vet. Heshtja ime tani do të ishte tradhti ndaj tyre, ndaj vetes dhe ndaj rreth 60 të burgosurve politikë në Gjeorgji sot. Jashtë këtyre mureve, njerëzit kanë dalë në rrugë për nëntë muaj me radhë. Me flamuj të BE-së në duar, janë lagur nga topat e ujit, janë ngufatur nga gazi lotsjellës dhe janë rrahur nga policia e trazirave. Por, nuk dorëzohen. Vendosmëria e tyre është shpresa jonë.
Kemi qenë përballë zgjedhjeve ekzistenciale edhe më parë. Në vitin 1921, republika demokratike e shkurtër e Gjeorgjisë u përpi nga Rusia me ndihmën e bolshevikëve gjeorgjianë. Edhe atëherë, të rinjtë luftuan trimërisht nëpër rrugë, por më pas u zhdukën – në 70 vjetët e ardhshme, nën hijen e dominimit sovjetik. Tani historia rrezikon të përsëritet, me Rusinë që përpiqet të na tërheq sërish në orbitën e saj, ndihmuar nga bashkëpunëtorë brenda vetë qeverisë sonë. Ky regjim kërceu në ritmin e oligarkut Bidzina Ivanishvili, i cili e ka krijuar pasurinë në Rusi dhe vazhdon të promovojë interesat e veta. Regjimi e ka braktisur rrugën tonë evropiane dhe ka përqafuar mjetet e sundimit rus: propagandën, shtypjen, korrupsionin dhe frikën.
Por, Gjeorgjia nuk është Rusi – dhe gjeorgjianët e kanë treguar vazhdimisht forcën që kanë. Edhe pse u pushtuam nga Rusia në vitin 2008 dhe vazhdojnë arrestimet dhe rrëmbimet e qytetarëve tanë në territoret e pushtuara të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë, ne përsëri zgjedhim Evropën. Të rinjtë e Gjeorgjisë janë në ballë të kësaj lufte kundër lodhjes, dëshpërimit dhe llogaritjeve të ftohta të atyre që mund ta shesin lirinë tonë.
Çfarë mund të bëhet? Mbështeteni shoqërinë civile të Gjeorgjisë dhe median tonë të pavarur që po lufton për mbijetesë. Mos i ndëshkoni qytetarët e zakonshëm duke ua hequr udhëtimin pa viza. Synoni përgjegjësit e vërtetë: zyrtarët e partisë Ëndrra Gjeorgjiane dhe rrjetet e tyre të biznesit. Ngrihuni në mbështetje të njerëzve që janë në rrugë, për gazetarët prapa grilave, për një shoqëri që refuzon të përkulet.
Mbështetja juaj për Gjeorgjinë nuk është vetëm një akt solidariteti – është zgjedhje pragmatike. Një regjim tjetër shtypës në rajon do të rrezikonte vetë sigurinë e Evropës. Ta braktisësh tani Gjeorgjinë do të thotë t’i japësh shpërblim agresionit të Rusisë.
Motoja kombëtare e Gjeorgjisë është: “Forca është në unitet”. Për mua, të jesh pjesë e BE-së do të thotë të ndash atë me të tjerët dhe të kontribuosh në atë forcë. Ne nuk i përkasim botës ruse të diktaturës dhe frikës, por familjes evropiane të kombeve të lira. Nga kjo qeli, shoh më qartë se kurrë që Evropa nuk është vetëm gjeografi – ajo është vlerë: dinjitet, drejtësi, barazi dhe solidaritet. Dhe, në Gjeorgji, ne po luftojmë për këto vlera me gjithçka që kemi – me penat tona, zërat tanë dhe trupat tanë nëpër rrugë.
Lufta jonë është pjesë e luftës së Evropës, ashtu siç lufta e Ukrainës është pjesë e Luftës së Evropës. Dhe, unë ju bëj thirrje, juve, miq evropianë: mos na lëshoni dorën. Së bashku mund të mposhtim errësirën dhe të jemi të sigurt që liria do të mbizotërojë. Sepse liria, në të vërtetë, është më e çmuar se vetë jeta. /Telegrafi/