Nga ‘Pajtim’ te ‘Bill’, historia e Kosovës e shkruar në emra

Nga ‘Pajtim’ te ‘Bill’, historia e Kosovës e shkruar në emra

Për dekada me radhë, prindërit shqiptarë kanë pagëzuar fëmijët e tyre me emra që pasqyrojnë kohën, luftën, paqen apo edhe figurat që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare.

Nga ‘Pajtim’, gjatë fushatës së pajtimit të gjaqeve, te ‘Çlirim’ pas luftës, e deri te ‘Bill’, ‘Medlina’ apo ‘Tonibler’, të frymëzuar nga figura ndërkombëtare, këta emra sot janë pjesë e regjistrave civilë në Kosovë.

Siç shpjegon historiani Durim Abdullahu për Klankosova.tv, zhvillimet politike të fundit të viteve ’80 dhe ’90, ndikuan drejtpërdrejt në zgjedhjen e emrave për fëmijët, duke pasqyruar atmosferën e asaj kohe.

Një shembull i kësaj lidhjeje është emri Pajtim, që përkon me vitet 1990 dhe 1991, periudhë kur u zhvillua fushata e pajtimit të gjaqeve, dhe emrat Durim dhe Qëndrim, të cilët lidhen ngushtë me politikën rezistencës paqësore.

Ndërkaq, shton se pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999 dhe 2000, u shfaqën emra si Çlirim, Çlirimtare, Drenica, Lirim, dhe Lirie, e që pasqyronin ndryshimet historike të periudhës.

Sipas tij, pas ndikimeve të politikave kulturore të Shqipërisë gjatë viteve ’80, në Kosovë shumë fëmijë filluan të pagëzoheshin me emra nga fise ilire dhe nga mbretër ilirë.

“Veçanërisht gjatë viteve ’80, nën ndikimin e politikave kulturore në Shqipëri, edhe në Kosovë filluan të pagëzoheshin fëmijët me emra fisesh ilirë dhe mbretërish ilirë, siç ishin Ardian, Dardan, Agron, Ilir, Bardhyl, Alketa, Dalmat, Teuta etj. Zhvillimet e hovshme politike nga fundi i viteve ’80 dhe gjatë ’90 janë reflektuar drejtpërdrejt në emrat e njerëzve. Kështu, emra si ‘Pajtim’ dhe ‘Pajtesa’ përkojnë me vitet 1990 dhe ’91, kur u zhvillua fushata e pajtimit të gjaqeve; “Durim” dhe “Qëndrim” në vitet 1990 dhe 1991, si kohë e proklamimit të politikës së vetëpërmbajtjes dhe rezistencës paqësore”.

“Kur kaluan vitet e dehjes nga liria, të tjerë emra erdhën në shprehje, siç ishin Pavarësia, por edhe emra pa lidhje politike, siç ishin emra fetarë dhe emra latine, arabe dhe hebraikë, të përdorur ndërkombëtarisht në kultura të ndryshme, siç janë Miriam, Ana, Sara, Aron, Harun, Amar, Mariela, Elsa, Elza, Elisa, Liza (këto variante të të njëjtit emër)”, tha ai.

Abdullahu thotë se në dy dekadat e ardhshme do të dominojnë emra të shkurtë, të formuar shpesh si bashkim shkronjash, të emrave të prindërve ose vendeve.

“Mendoj që në dy dekadat pasardhëse do të dominojnë emra të shkurtra, të formuar shpesh si bashkim shkronjash nga emra të tjerë, si të prindërve apo të vendeve; si dhe emra tipikë shqiptarë, me pak emra virtytesh dhe aspiratash, siç ishin dikur emrat Durim, Liridon, Arsim, Bekim, Betim, dhe më shumë emra nga fjalori i termave të natyrës, siç janë Era, Bora, Riga, Tropika, Det, Rrap, Mal, Lis, Guri etj., si dhe emra me kuptime identitare, siç ishin Gege, Toska, Lekë, Leka, Duka, Gjin etj”, tha Abdullahu për Klankosova.tv

Emra të veçantë politikanësh botërorë të kthyer në emra personal

Nga kërkimet e Klankosova.tv, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, një person në Kosovë, më saktë nga Klina e ka emrin Kfor, një tjetër nga Peja është emëruar për nder të ish-presidentit amerikan, Bill Klinton, me emrin Bill.

Në nder të ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright, në Kosovë 31 vajza quhen me emrin Medlina.

Në anën tjetër, 3 vajza quhen Hillari, sipas ish-sekretares së Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton.

E, mbiemrin Clinton, si emër Klinton e mbajnë 30 meshkuj në Kosovë.

Ndërkaq, 4 meshkuj mbajnë emrin Tonibler, atë kryeministrit britanez, Tony Blair.

Por, a ka ekzistuar kjo traditë më herët në Kosovë?

“Në Kosovë ka pasur traditë që prindërit t’i pagëzojnë fëmijët me emra të njerëzve të zotë, si Isa (në bazë të Isa Boletinit) apo Bajram (në bazë të Bajram Currit), por jo me emra figurash politike. Mbase emri i parë i një figure politike që është aplikuar t’u vendoset fëmijëve ka qenë emri ‘Enver’, sipas diktatorit Hoxha. Veçanërisht në fund të viteve ’60 dhe gjatë viteve ’70 ka pasur jo pak familje që djemve u kanë vënë madje edhe emrin ‘Enver’ njërit vëlla dhe ‘Fadil’ tjetrit, sipas Enver Hoxhës dhe liderit politik kosovar komunist Fadil Hoxha”, tha Abdullahu.

Dilemat e drejtshkrimit të emrave të huaj

Në anën tjetër, sa i përket shqipërimit të emrave, studiuesi i Letërsisë dhe shkrimtari, Imer Topanica thotë se Standardi i gjuhës shqipe i vendosur në 1972 është mbështetur në parimin e shkrimit të emrave të huaj, në harmoni me shqiptimin në gjuhët origjinale të tyre, me ndonjë përjashtim të rrallë.

“Si rrjedhojë,  parimi në fjalë është respektuar për dekada të tëra, nga shumë breza. Megjithatë, ata që deri dje janë mbajtur përgjegjës për kultivimin e standardit, siç janë gjuhëtarët, gazetarët, shkrimtarët, akademikët, komentatorët, spikerët etj., kanë pushuar së qeni autoritetet e vetme që përcaktojnë se çfarë është korrekte dhe çfarë jo te gjuha e përdorur. Rrjetet sociale dhe përgjithësisht tregu medial, janë zhveshur nga misioni i emancipimit të masave. Ato ngarendin drejt shijeve që i përcakton kjo e fundit. Fjala vjen, shpesh bëhen “normë” edhe gabimet që futen në përdorim nga kjo masë”, tha Topanica për Klankosova.tv

Ai shton se problem tjetër jo më pak i rëndësishëm është edhe mungesa e një standardi të drejtshqiptimit, që nuk është konsoliduar asnjëherë.

“Problemi është mungesa e një standardi të drejtshqiptimit, që s’është konsoliduar asnjëherë, në kuptimin e një “doktrine” gjuhësore. Andaj, nuk është e çuditshme që sot manifestohet një varitet vernakular te përdoruesit”, tha ai.

Emri si identitet fetar

Siç shpjegon historiani Abdullahu, deri në fillim të shekullit XX, emërtimi i fëmijëve ndër shqiptarë ishte ngushtësisht i lidhur me përkatësinë fetare dhe strukturën shoqërore të kohës.

Në periudhën osmane, emrat fetarë dominonin në gjithë hapësirën shqiptare, ndërsa mbiemrat zakonisht formoheshin në varësi të zonës gjeografike, prejardhjes familjare apo besimit religjioz.

Derisa shton se te të krishterët, qoftë katolikë apo ortodoksë, emri më së shumti propozohej nga prifti i fshatit apo famullitari që e pagëzonte fëmijën.

“Kur një person vendoste të islamizohej, si i pari i familjes ai pothuajse rregullisht merrte emrin ‘Abdullah’, për të treguar bindjen dhe përuljen prej besimtari ndaj Zotit, pasi “Abdullah” në arabishte do të thotë “Rob i Zotit”. Në zonat katolike, rëndom emrit të parë i shtohej një emër i dytë si patronim që mund të ishte edhe i kompozuar dhe një i tretë që mund të ishte emri i fisit apo i bajrakut, si p.sh. Nikë Dedë Kola, Lekë Palnikaj, ose Kolë Bytyqi, Dedë Hoti etj. Familjet e mëdha myslimane shpesh mbanin për mbiemër emrat e vendeve të origjinës, por edhe titujt e nderit apo të shërbimit, sikur Izet Pashë Vlora, Hoxhë Kadri Prishtina, ose Hanife Hanëmi”, thotë Abduallahu.

Sipas historianit Abdullahu, kultura e mbiemrave në Kosovë mori një trajtë të re kur mijëra familje shqiptare u dyndën në rrafshin e Kosovës pas spastrimit etnik që kreu shteti i Serbisë në zonat e Leskocit, Nishit, Prokuplës, Kurshumlisë, Toplicës dhe Vranjës (1878 – 1884).

The post Nga ‘Pajtim’ te ‘Bill’, historia e Kosovës e shkruar në emra appeared first on Klan Kosova.