Nga Michelangelo te Banksy: Veprat kontroverse që ranë ndesh me ligjin – dhe u fshinë!

Nga Michelangelo te Banksy: Veprat kontroverse që ranë ndesh me ligjin - dhe u fshinë!

Nga: Kelly Grovier / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Nuk ka se si të jesh më brutal në përshkrimin e ushtrimit të forcës gjyqësore: një gjyqtar me krahun e ngritur, që përdor një armë të improvizuar, shpall vendimin e tij, goditje pas goditjeje, mbi trupin e të akuzuarit i cili është i shtrirë për toke. Jo, nuk po flas për muralin e fundit të Banksyt (dhe të fshirë shpejt), të cilin artisti i rrugës e spërkati mbi murin anësor të Gjykatës Mbretërore të Drejtësisë në Londër më 7 shtator. Vepra e Banksyt, që satirizonte një gjyqtar anglez me paruke dhe mantel tradicional, duke rrahur një protestues të shtrirë me çekanin e tij – ndërsa spërkatjet e gjakut bëheshin vetë mesazhi i vendosur mbi pankartën e zbrazët që mbante protestuesi – u fshi pjesërisht nga autoritetet tre ditë më vonë.


Murali kontrovers i artistit Banksy u shfaq në murin anësor të Gjykatës Mbretërore të Drejtësisë në Londër, më 7 shtator Burimi: Getty Images

Një skulpturë mermeri nga artisti i Rilindjes, Jean de Boulogne (i njohur si “Giambologna”), që paraprin veprën e Banksyt me më shumë se katër shekuj e gjysmë, portretizon një skenë nga Bibla në të cilën gjykatësi i Besëlidhjes së Vjetër, Samsoni, “vrau një mijë burra” me “nofullën e një gomari”.

Nëse vepra e diskutueshme e Banksyt sjell ndërmend precedentë kaq të fuqishëm nga historia e artit, e njëjta gjë vlen edhe për fatin e muralit të tij. Pothuajse menjëherë pasi u zbulua vepra në murin e ndërtesës mbretërore brenda kompleksit të gjykatës, ajo u mbulua me çarçafë të mëdhenj zë zinj prej plastike dhe u rrethua me barriera çeliku dhe roje nga Shërbimi i Gjykatave dhe Tribunaleve të Mbretërisë së Bashkuar. Policia Metropolitane konfirmoi shpejt se vepra ishte “raportuar si dëmtim kriminal” – siç duket një shkelje e mundshme sipas Aktit për Dëmtimin Kriminal të vitit 1971.

Skulpturë mermeri nga artisti i Rilindjes “Giambologna”, paraprin muralin e Banksyt me më shumë se katër shekuj e gjysmë Burimi: Alamy

Zhdukja (nëse jo shkatërrimi i plotë) e muralit të Banksyt, një fantazmë me ngjyrë gri që ende përndjek murin ku fillimisht u ngjyros me shabllon, nuk paraqet herën e parë kur një vepër arti është censuruar pasi ra ndesh me ligjin. E gjithë historia e krijimit të imazheve është e shënuar nga episodet e shikimit të kufizuar dhe të shprehjes së shtypur. Që nga thyerja e ikonave në Bizantin e shekujve VIII dhe IX e deri te shkatërrimi i satirës thumbuese të Banksyt në murin e Gjykatës Mbretërore të Drejtësisë këtë javë, historia e artit është rrëfim vazhdimisht i rishkruar nga pushtetet në fuqi.

Murali i 7 shtatorit i Banksyt u fshi pjesërisht tre ditë më vonë, duke lënë gjurmë prej fantazme Burimi: Getty Images

Merreni si shembull afreskun madhështor të Michelangelos, Gjykimi i Fundit, që zë gjithë murin e altarit të Kapelës Sistine në Vatikan. E përfunduar në vitin 1541, vepra e famshme imagjinon ngjitjen dhe rënien dinamike të shpirtrave të shpëtuar dhe të dënuar, teksa ata dërgohen në Parajsë dhe Ferr pas Ardhjes së Dytë të Krishtit. Edhe pse mund të duket e vështirë të përfytyrohet një temë më pak erotike sesa turma e trupave të zhveshur që përplasen për vendin e tyre në përjetësi, Gjykimi i Fundit megjithatë u gjend në anën e gabuar të vendimit të Këshillit të Trentit, në dhjetor 1563, për të ndaluar veprat e artit që ishin “zbukuruar me bukuri që nxisin epshin”. Që nga hapja e parë për publikun e afreskut, nudot e Michelangelos kishin nxitur kritika nga ata që ndjenin se prania e tyre “në një vend kaq të shenjtë” ishte e pahijshme. Vëmendja e veçantë iu kushtua paraqitjes – në pjesën e poshtme djathtas të afreskut – së Shën Katarinës së Aleksandrisë lakuriqe, e cila duket sikur lëviz ijët për t’u larguar nga Shën Vlashi i cili anon kah ajo – trupi i tij i shtypur pranë saj.

Në mënyrë që ta bënin kryeveprën e Michelangelos t’i bindej dekretit të ri që ndalonte “lakuriqësinë e pahijshme” në art, manieristi italian, Daniele da Volterra, u punësua për t’i veshur figurat e zhveshura të afreskut me përparëse dhe rroba, për çfarë mori nofkën “Il Braghettone” – ose “krijuesi i brekusheve”. Rezultati i tij ishte një shtrembërim i vizionit origjinal të Michelangelos. Ndërsa restaurimet e afreskut në vitet 1980 dhe 1990 arritën të hiqnin shtesat e tjera që ishin bërë pas “korrigjimeve” të Volterras në shekullin XVI, shumica e ndërhyrjeve të tij mbeten edhe sot.

Nudot në afreskun “Gjykimi i Fundit” të Michelangelos u mbuluan pasi u konsiderua se binin ndesh me ndalimin e “lakuriqësisë së pahijshme” në art Burimi: Getty Images

Në retrospektivë, afresku i Michelangelos pati fat relativisht lehtë. Jo shumë kohë pasi Volterra nisi të mbulonte modestinë e figurave në Gjykimin e Fundit – me perde të vendosura në mënyrë strategjike – ikonoklastët protestantë u përhapën në Vendet e Ulëta në vitin 1566 dhe sulmuan katedralen e Anterpit duke shkatërruar përgjithmonë një altar madhështor të Frans Florisit, të artistit kryesor të qytetit. Piktura fantastike e Florisit, Rënia e engjëjve rebelë, e pikturuar vetëm 12 vjet më parë, paraqet një të shenjt që dëbon një mori demonësh groteskë. Reformatorët, të bindur se imazhet e triptikut shkelën ligjet e reja civile kundër besëtytnisë dhe idhujtarisë, shkëputën krahët e veprës nga menteshat dhe shkatërruan dy panelet anësore. Vetëm pjesa qendrore e triptikut, relativisht e lirë nga ikonografia fyese, mbijetoi shkatërrimin. Kur sundimi katolik u rikthye 20 vjet më vonë, fragmenti i shpëtuar u var sërish në katedrale si një simbol i qëndrueshmërisë së jashtëzakonshme të artit.

Jo çdo vepër e ndëshkuar për shkelje të supozuar të ligjit ka pësuar dëm të pariparueshëm. Në vitin 1815, dy pikturat e famshme të Francisco de Goyas, që paraqesin të njëjtën grua të shtrirë në poza simetrike – një herë lakuriqe, tjetrën herë e veshur – u sekuestrua nga Inkuizicioni dhe u mbajt fshehur për dekada, megjithëse asnjëra nuk u dëmtua apo u shkatërrua përfundimisht. Veprat, të njohura si Dy Majat, u pikturuan midis viteve 1797 dhe 1800 dhe janë revolucionare për paraqitjen sensuale të një gruaje bashkëkohore që shikon drejtpërdrejt shikuesin, e shkëputur nga çdo mit ose narrativë nga historia apo feja.

Dyshja e famshme e pikturave të Goyas që paraqet të njëjtën grua – një herë lakuriqe, tjetrën herë të veshur – u sekuestrua dhe u mbajt e fshehur për disa dekada Burimi: Getty Images

Pas rrëzimit në vitin 1808 të pronarit të veprave, kryeministrit spanjoll Manuel Godoy (i cili i mbante kanavacat në një kabinet bashkë me piktura të tjera nudo), u hap një hetim mbi zotërimin e portreteve skandaloze që ishin akuzuar për shkelje të ligjeve mbi moralin publik dhe hijeshinë. Goya u thirr për t’u rrëfyer, megjithëse dëshmia e tij nuk ka mbijetuar. Përderisa Goya, i cili mbante një post të lartë si piktor i oborrit mbretëror, nuk doli të jetë ndëshkuar, veprat e tij u konfiskuan dhe u mbajtën larg syve të publikut deri në vitin 1836 dhe më në fund u transferuan në Muzeun Prado në vitin 1901.

I njëjti përfundim i lehtë, si për artistin ashtu edhe për veprën, nuk u aplikua për çdo vepër të akuzuar për shkelje ligjore në shekullin XIX. Ndërkohë që Maja e zhveshur dhe Maja e veshur të Goyas po prisnin faljen dhe lirimin eventual, një litografi provokuese nga artisti francez Honoré Daumier sapo kishte filluar të binte nën vëzhgim të ashpër për nxitje të “urrejtjes ndaj Mbretit” dhe për shkelje të ligjit. Vepra e Daumierit, Gargantuani, e botuar në revistën satirike La Caricature, bazohej në një personazh të Rabelaisit dhe paraqet Mbretin Louis-Philippe si një llupës gjigant që përpin me babëzi pasurinë dhe burimet e nënshtetasve të tij të varfër. E zemëruar, Qeveria franceze reagoi shpejt si ndaj artistit, ashtu edhe ndaj veprës e cila kishte rezultuar të jetë jashtëzakonisht popullore.

“Gargantuani” i Daumierit paraqet Mbretin Louis-Philippe si një llupës gjigant – artisti u arrestua dhe u dënua me burg Burimi: Alamy

Daumier u arrestua dhe u dënua me gjashtë muaj burg për shkelje të ligjeve kundër nxitjes së trazirave, ndërsa vetë guri nga i cili ishte shtypur litografia, u shkatërrua, duke parandaluar shpërndarjen e mëtejshme të imazhit fyese. Megjithëse qeveria bëri çmos për të shtypur Gargantuanin e Daumierit, kopjet nga tirazhi i parë i La Caricature mbijetuan dhe gdhendjet e lira prej druri, të modeluara sipas dizajnit, e mbajtën imazhin në qarkullim të fshehtë.

Nëse Banksy, kushdo qoftë ai, do të ndiqet njëjtë si Daumieri – nga qeveria britanike për rolin e tij në aktin e supozuar të dëmtimit kriminal të ndërtesës së Gjykatës Mbretërore të Drejtësisë – apo nëse murali i tij i diskutueshëm do të mbetet – përmes fshirjes së pjesshme – edhe më thellë i ngulitur në vetëdijen kulturore, kjo mbetet për t’u parë. Ndonjëherë, ajo që nuk është aty është më rezistuese dhe më e fuqishme sesa ajo që është. /Telegrafi/