Ish-anëtarja e Listës Serbe, Vesna Pantoviq, në zgjedhjet e 12 tetorit synon të marrë drejtimin e Leposaviqit në kuadër të Partisë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë që udhëhiqet nga ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
E njëjta ka shërbyer edhe si Drejtoreshë e Arsimit në komunën që udhëhiqet nga Lulzim Hetemi. Ky i fundit, për Klankosova.tv konfirmoi se Pantoviqin e ka shkarkuar para rreth dy muajve, duke treguar edhe arsyen.
“Nuk është më pjesë e komunës. E kam shkarkuar para rreth diku dy muajsh, ajo ka qenë drejtoreshë e Arsimit. Kam qenë i detyruar ta shkarkoj, jo pse kam raporte të këqija me Rashiqin, por nga momenti kur ajo ka filluar të takohet tinëzisht me të, unë kam marrë masa”, deklaroi Hetemi.
“Nga informacionet që kam, jo bash zyrtare, ajo tani punon në një çerdhe në qytezën e Leshakut në Serbi”, theksoi tutje i pari i Leposaviqit, për Klankosova.tv.
“Po, ajo tani garon për kryetare te ministri Rashiq”, tha ai.
Ndryshe, Vesna Pantoviq e cila deri para pak vitesh ishte pjesë e Listës Serbe, dikur shfaqej duke përdorur gjuhë fyese ndaj shqiptarëve. Po ashtu, e njëjta ishte parë edhe përkrah presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Kandidimi i saj tash për kryetare të Leposaviqit ka ngritur shqetësime tek disa qytetarë të cilët në redaksinë e Klankosova.tv janë ankuar se “brenda institucioneve të Kosovës është një person i Beogradit”.
Në anën tjetër, Klankosova.tv ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga ana e Nenad Rashiqit, por i njëjti deri në këto momente nuk është përgjigjur.
The post Nga Lista Serbe në garë për Leposaviqin – kush është Vesna Pantoviq? appeared first on Klan Kosova.