Nga kaosi te perfeksioni: Allegri bën atë që Fonseca e Conceiçao nuk e arritën kurrë te Milani

Nga kaosi te perfeksioni: Allegri bën atë që Fonseca e Conceiçao nuk e arritën kurrë te Milani

Ndikimi i Massimiliano Allegrit është tashmë i dukshëm te Milani, pasi kuqezinjtë kanë arritur të fitojnë tre ndeshje radhazi në Serie A pa pësuar asnjë gol, një gjë që nuk e kishin arritur kurrë gjatë gjithë sezonit të kaluar.

Milani ka marrë tre fitore rresht në kampionat duke ruajtur portën e paprekur, një arritje që nuk u realizua as nën drejtimin e Paulo Fonsecas dhe as të Sergio Conceiçaos sezonin e kaluar. Ky progres është tregues i qartë i ndryshimit që ka sjellë Allegri në aspektin e organizimit dhe disiplinës taktike.


Në këtë seri pozitive, Rossonerët kanë grumbulluar 9 pikë nga tri ndeshje, duke shënuar gjashtë gola dhe duke mos pësuar asnjë.

Max Allegri

Pas humbjes 2-1 ndaj Cremoneses në ndeshjen hapëse të sezonit, ekipi reagoi fuqishëm me fitoret kundër Lecce-s (0-2), Bolognas (1-0) dhe Udineses (0-3).

Sipas TMW, ky është një fakt i ri për sezonin 2025/26, pasi Milani nuk kishte arritur më parë të fitonte tre ndeshje radhazi pa pësuar gol.

Edhe pse Allegri ishte i pezulluar në sfidën ndaj Udineses, ai e ndoqi ndeshjen me pasion dhe, sipas raportimeve, nuk hezitoi t’u jepte udhëzime lojtarëve të tij edhe gjatë lojës, duke u kërkuar kujdes në lëvizjet mbrojtëse, pavarësisht se skuadra kryesonte bindshëm me shifrat 3-0.

Prej kohësh, Allegri është i njohur për qasjen e tij të bazuar te parimet e “shkollës së vjetër”, duke vënë theksin te disiplina taktike dhe organizimi mbrojtës.

Max Allegri te Milani

Kjo filozofi duket se po funksionon përsëri në Serie A, ku statistikat tregojnë se në 17 nga 18 sezonet e fundit titullin e ka fituar skuadra me mbrojtjen më të fortë.

Duket qartë se Milani nën drejtimin e Allegrit ka marrë një kthesë pozitive, duke ndërtuar një bazë të fortë për të qenë konkurrent serioz në garën për titull. /Telegrafi/