Nga Anfield te liga e shtatë: Ish-lojtari i Liverpoolit rrëfen sulmin me thikë që i ndryshoi karrierën

Nga Anfield te liga e shtatë: Ish-lojtari i Liverpoolit rrëfen sulmin me thikë që i ndryshoi karrierën

Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Andre Wisdom, i cili i mbijetoi një sulmi brutal nga pesë burra të maskuar në qershor të vitit 2020, ka treguar për përvojën e tmerrshme që, sipas tij, i ndryshoi rrënjësisht karrierën, raporton Daily Mail.

Wisdom, që doli nga akademia e Liverpoolit dhe zhvilloi 22 ndeshje me ekipin e parë përkrah legjendave si Steven Gerrard e Luis Suarez, sot ndien ende pasojat fizike e profesionale të asaj nate.


Jeta e tij ka qenë plot sfida, ku të gjitha i ka rrëfyer në një intervistë.

Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Andre Wisdom

Nga Anfield në ligën e shtatë

Pas largimit nga Liverpooli në vitin 2017, ai iu bashkua Derby County, ku gjatë pandemisë pësoi një goditje në tru dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Në vitin 2021 u lirua nga klubi, ndërsa më pas nuk ia doli në provat te Portsmouth, Sheffield United dhe Birmingham.

Në vitin 2023 nënshkroi për ekipin amator Warrington Town, ndërsa sot, në moshën 32-vjeçare, luan për FC United of Manchester në ligën e shtatë angleze. Wisdom kishte debutuar për Liverpoolin në moshën 19-vjeçare, ku edhe shënoi golin e tij të parë, ndërsa ishte kapiten i Anglisë U21.

Andre Wisdom te liverpool

Sulmi që i ndryshoi jetën

Incidenti ndodhi pas një feste në Liverpool, ku Wisdom kishte thyer masat e karantinës vetëm pak orë pas një ndeshjeje të Derbyt.
“Nuk duhej të isha aty, por doja të dilja jashtë. Po shkoja drejt makinës kur më dolën përpara pesë djem me maska dhe thika. Më kërkuan orën, unë thashë jo, dhe filloi sherri. Nuk pata kohë të ikja”, rrëfeu ai.

Pas disa minutash përleshjeje, sulmuesit ikën duke e lënë të mbuluar me gjak, ky ai e kuptoi gjendjen pasi shkoi në shtëpi.

“Arrita të ngisja makinën deri në shtëpi, rreth 20 minuta larg. Adrenalina më mbante gjallë. Vetëm kur arrita aty kuptova se isha therur disa herë. Kisha plagë në kokë, gjoks, vithe dhe kofshë. Kur pashë që muskuli pothuajse po dilte nga plaga, atëherë thirra ndihmën”, kujtoi ai.

Sulmuesit e tij nuk u kapën kurrë dhe rasti mbetet ende i hapur.

Wisdom dhe Gerard

Jeta pas traumës

“Kush e di ku do të isha sot nëse nuk do të më kishin therur. Nuk them që ajo natë ma shkatërroi karrierën, por padyshim e ndryshoi. Edhe sot e kësaj dite ndiej dhimbje në trup nga plagët”, u shpreh ai për BBC Sport.

Megjithatë, Wisdom ka arritur të ndërtojë një jetë jashtë futbollit. Ai është një investitor i suksesshëm në prona, duke zotëruar disa shtëpi rreth Liverpoolit.

Wisdom tani në ligën e shtatë

Njëra prej tyre ishte edhe vendbanimi i Trent Alexander-Arnold në kohën kur ai po ngjitej në ekipin e parë të Liverpoolit – mbrojtësi që këtë verë kaloi te Real Madrid. /Telegrafi/