Nga 55 milionë fishekë në rrënojë – fabrika e shatërruar e municionit në Skënderaj (VIDEO)

Nga 55 milionë fishekë në rrënojë – fabrika e shatërruar e municionit në Skënderaj (VIDEO)

Kjo rrugë dikur çonte drejt zyrave, drejt punës, drejt ëndrrave të një fabrike që gumëzhinte.

Sot, pas dekadash, ajo të kthen pas – jo më si punëtor krenar, por si vizitor i hutuar, me kokën ulur.

Një gjigant i industrisë – tani vetëm një rrënojë. Nuk e rrëzoi koha, por duart tona. Pas luftës, ajo që dikur ishte krenaria e Drenicës, u shua në pluhur.

Në njërën anë Skenderaj, në tjetrën Prekazi dhe familja Jashari. Mirë se vini në Fabrikën e dikurshme të municionit – aty ku punonte edhe Hamëz Jashari. “Mjerim, çka me thanë…”, thotë Isa Hajdini, ish-inxhinieri kryesor i saj.

Kjo gërmadhë dikur kishte mbi 300 punëtorë dhe punonte me 3 ndërrime. Ishte konkurrente e denjë e gjigantëve botërorë të municionit sportiv. Kontratat milionëshe lidheshin me kompani të njohura ndërkombëtare.

“Kontrata e fundit ka qenë 35 milion fishekë me ‘Tudosport’, një nga kompanitë më të mëdha amerikane”, kujton Hajdini. Mes rrënojave dhe gëzhojave, pas 34 vitesh, kthehet i hutuar edhe Qazim Durmishi. “Tmerr…”, është e vetmja fjalë që gjen. Në fund të viteve ’80, Serbia u përpoq me çdo kusht ta njëlloste punën e saj dhe ta mbyllte. Por nuk ia doli. Brenda një dite pune, këtu prodhoheshin 60 mijë fishekë, ndërsa kapaciteti vjetor arrinte deri në 55 milionë. Me disa modifikime të thjeshta, makineritë mund të prodhonin edhe municion ushtarak. Fabrika shtrihej në 18 hektarë, me objekte të veçanta për kohën.

Një ndër më të rrallat ishte dhoma balistike, ku testoheshin fishekët – e vetmja në Kosovë. Sot, edhe ajo është një rrënojë. Kaq ka mbetur nga kjo perlë e industrisë, që sot administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Por fati i saj, ashtu si i shumë fabrikave të tjera, mbetet i paqartë, transmeton Klankosova.tv.

The post Nga 55 milionë fishekë në rrënojë – fabrika e shatërruar e municionit në Skënderaj (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.