Nga 19 tetori nis sezoni i ri i gjuetisë – Komuna e Hanit të Elezit apelon për respektim të ligjit

Nga 19 tetori nis sezoni i ri i gjuetisë – Komuna e Hanit të Elezit apelon për respektim të ligjit

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se nga data 19 tetor 2025 (e diel) do të hapet sezoni i gjuetisë për periudhën 2025–2026, për lloje të caktuara të kafshëve të egra, përcjell Telegrafi.

Në vendimin e nënshkruar nga Ministria, thuhet se hapja e sezonit të gjuetisë bëhet në pajtim me Ligjin për Gjuetinë dhe aktet nënligjore përkatëse, me qëllim të ruajtjes së ekuilibrit të faunës së egër dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.


Komuna e Hanit të Elezit njofton të gjithë shoqatat e gjuetarëve dhe personat që posedojnë leje të vlefshme gjuetie, se veprimtaria e gjuetisë mund të ushtrohet vetëm në zonat e përcaktuara dhe për llojet e kafshëve të miratuara nga Ministria e Bujqësisë.

Sipas udhëzimeve të Ministrisë, të gjitha shoqatat e gjuetarëve janë të obliguara të organizojnë vëzhgime të rregullta në terren dhe të raportojnë për numrin dhe llojet e kafshëve të gjuajtura, në përputhje me planet vjetore të menaxhimit.

Po ashtu, ndalohet gjuetia e llojeve të mbrojtura, si dhe përdorimi i municioneve apo mjeteve të palejuara. Inspektorët komunalë dhe ata të Ministrisë do të jenë në terren për të siguruar respektimin e plotë të ligjit dhe masave të sigurisë.

Komuna e Hanit të Elezit apelon që të gjithë gjuetarët të veprojnë me kujdes dhe përgjegjësi ndaj natyrës, duke respektuar kufizimet ligjore dhe rregulloret në fuqi. /Telegrafi/