Policia e Kosovës për Rajonin e Mitrovicës së Veriut ka njoftuar se nga 01. 11.2025 nuk do të lejohet qarkullimi i automjetet me traga të huaja me autorizim më shumë se tre muaj.
Policia thotë se këto masa i merre në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete, neni 41. Mosrespektimi i këtij ligji nga ngasësit e automjeteve sipas njoftimit do të përcjellët me gjoba nga 200 deri në 270 euro.
Sipas njoftimit, mjeti (mjeti motorik) i regjistruar në vendin e huaj, në pronësi të shtetasit të huaj me qëndrim të përkohshëm në Kosovë, mund të marrë pjesë në trafikun rrugor në Kosovë, jo më gjatë se tre muaj nga data e hyrjes në Kosovë.
“Mjeti i regjistruar në vendin e huaj, në pronësi të qytetarit të Kosovës me qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë Kosovës, mund të marrë pjesë në trafikun rrugor në Kosovë deri në tre (3) muaj nga data e hyrjes në Kosovë dhe i njëjti duhet ta ketë të rregulluar lejen e qëndrimit, të përhershme ose të përkohshme, dhe ta tregojë atë me kërkesën e personit të autorizuar”- thuhet në njoftim.
Po sipas njoftimit, mjetin e regjistruar jashtë Kosovës, nga paragrafi 2 i këtij neni (Ligjin nr. 05/L-132), nuk mund ta drejtojë shtetasi kosovar pa prani të pronarit dhe as të autorizohet që i njëjti të qarkullojë me atë mjet në Kosovë.
Mjetin e regjistruar në vendin e huaj në pronësi të qytetarit të Kosovës me qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë Kosovës, thuhet në njoftim mund ta drejtojë qytetari i Kosovës i cili gjithashtu ka qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në shtetin prej nga vjen automjeti, dhe i cili duhet të posedojë autorizim nga shteti përkatës prej të cilit vjen automjeti.
Po sipas njoftimit, personi i cili e importon ndonjë mjet nga ndonjë vend jashtë Kosovës, e i cili nuk e ka të rregulluar qëndrimin e përkohshëm ose të përhershëm nga vendi ku është importuar mjeti, të njëjtit i lejohet të marrë pjesë në trafikun rrugor deri në tetë ditë nga data e hyrjes së mjetit në Kosovë.
“Për kundërvajtje, dënohet me gjobë prej dyqind (200.00) euro shoferi ose personi i cili e drejton mjetin në trafikun rrugor në kundërshtim me rregullat e paragrafëve 1,2,3 dhe 4 të këtij neni. Për kundërvajtje, dënohet me gjobë prej dyqind e shtatëdhjetë (270.00) euro shoferi i mjeteve komerciale si: autobusëve, mjeteve të transportit me masën më të madhe se 3500 kg, mjeteve për transportin e materieve të rrezikshme, nëse i njëjti merr pjesë në trafikun rrugor më tepër se tetë ditë nga data e hyrjes së mjetit në Kosovë”- thuhet në njoftim.
Këto masa sipas Policisë do të fillojnë të zbatohen nga data 1 nëntor 2025.