Pesëmbëdhjetë kategori të qytetarëve mund të udhëtojnë nëpër rrugët e Prishtinës përmes kuletës digjitale falas prej 1 marsit në të gjitha linjat e autobusëve të Trafikut Urban.
Ndërsa kartelat fizike do të hiqen nga përdorimi, në përjashtim të disa rasteve, raporton Klan Kosova.
Të liruar nga pagesa janë fëmijët deri në moshën 7 vjeçe, veteranët, invalidët, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve të luftës, pjesëtarët e FSK-së, policia, zjarrfikësit, stafi i institucioneve komunale shëndetësore e arsimore të kryeqytetit dhe studentët.
Ndërsa pensionistët, nxënësit e shkollave fillore e të mesme, rastet sociale, personat me aftësi të kufizuara dhe ata që nuk posedojnë telefon, mund ta përdorin edhe kartelën fizike.
Për aplikacionin duhet drejtuar në Trafikun Urban.
Si pilot projekt, kuleta digjitale ka filluar të përdoret që nga shtatori.
Për shkak të vështirësive në teknologji, të moshuarit kryesisht vazhdojnë metodën e vjetër.
Ka të tillë që nuk janë të informuar fare.
Teksa të rinjtë thonë se aplikacionin online e përdorin pa pengesa.
Aktualisht, siç televizioni Klan Kosova mëson, janë 112 mijë veta që posedojnë kuletën digjitale dhe 50% prej tyre janë përdorues aktivë. /Klankosova.tv


