Pavarësisht temperaturave përvëluese dhe numrit të zvogëluar të pjesëmarrësve, një pjesë e punëtorëve të sigurimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) vazhduan sot të protestojnë.
Ata theksuan se përveç nevojës për punë dhe paga, mungesa e sigurimit po ndikon negativisht edhe në funksionimin e klinikave, pacientëve dhe qytetarëve që vijnë për trajtim.
Këto javë, në mungesë të stafit të sigurimit, ekipi i Klan Kosovës ka vërejtur një kaos të përditshëm në ambientet e QKUK-së, ku pacientët dhe familjarët enden të paorientuar nëpër hapësirat spitalore.
Sipas kryetarit të Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, pritet që javën e ardhshme të ketë një zgjidhje për këtë situatë, pas një komunikimi të ri me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ai ka bërë të ditur se hapja e ofertave për sigurimin e objekteve do të bëhet përmes një procedure të negociuar dhe se procesi do të monitorohet nga sindikata dhe organizata të tjera për të garantuar transparencë.
Kujtojmë se që nga fundi i muajit qershor, rreth 280 punëtorë të sigurimit mbetën pa kontrata, dhe që nga ajo kohë, objektet fizike të QKUK-së janë të mbuluara vetëm nga Policia e Kosovës, si masë e përkohshm. /Klankosova.tv
The post Nevoja për kujdestarë, QKUK s’mundet pa sigurimsa, as pacientët (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.