Netanyahu urdhëron transmetimin e fjalimit në OKB për banorët e Gazës, përmes altoparlantëve në kufi

news image

Zyra e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) që të transmetojnë drejtpërdrejt fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për banorët në Rripin e Gazës.

Mëngjesin e sotëm, mediat izraelite raportuan se IDF-së i ishte urdhëruar të instalonte altoparlantë në kamionë në zonat kufitare. Zyra e Kryeministrit më vonë konfirmoi planin, duke theksuar se transmetimi do të bëhet vetëm nga ana izraelite e kufirit.

“Zyra e Kryeministrit ka udhëzuar institucionet civile, në bashkëpunim me IDF-në, të instalojnë altoparlantë në kamionë vetëm në anën izraelite të kufirit të Gazës me qëllim transmetimin e fjalimit historik të kryeministrit Netanyahu në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Rripin e Gazës sot.”

Zyra shtoi se: “Ky veprim është pjesë e një qasjeje diplomatike ndaj publikut”, duke theksuar se Netanyahu “urdhëroi në mënyrë të qartë që operacioni të mos rrezikojë ushtarët izraelitë”.

Megjithatë, ky urdhër ka shkaktuar kundërshtime nga brenda ushtrisë. Sipas Channel 12, ushtria ka kundërshtuar idenë, pasi do të kërkonte zhvendosjen e trupave nga pozicionet e tyre, duke i ekspozuar ata ndaj sulmeve të mundshme nga Hamasi.

Një zyrtar i lartë ushtarak, për gazetën izraelite Haaretz, e quajti këtë veprim: “Një ide e çmendur.”

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

https://platform.twitter.com/widgets.js