Netanyahu thotë se Perandoria Osmane kreu gjenocid ndaj grekëve, armenëve dhe asirianëve

news image

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar për herë të parë publikisht se njohon gjenocidin e kryer ndaj armenëve, asirianëve dhe grekëve gjatë periudhës së Perandorisë Osmane në vitin 1915, duke e cilësuar ngjarjen si një “akt të qartë të shfarosjes së organizuar” ndaj këtyre komuniteteve.

Kjo përbën një kthesë të rëndësishme nga qëndrimi zyrtar i Izraelit, që deri tash kishte shmangur përdorimin e termit “gjenocid”. Njoftohet se deklarata e Netanyahut është personale dhe nuk reflekton ende një politikë zyrtare shtetërore, raporton euronews.

Reagimi i Turqisë ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Ministria e Jashtme turke përshkroi deklaratën si “një përpjekje për të manipuluar tragjeditë historike për qëllime politike”, duke shtuar se “Netanyahu, që është vënë nën presion për rolin e tij ndaj popullit palestinez, përpiqet të mbulojë krimet e tij dhe të qeverisë së tij”.

Analistët politikë e interpretojnë këtë veprim si një mënyrë për të ushtruar presion politik mbi Ankaranë, duke përdorur një çështje historike me ndjeshmëri të lartë për Turqinë.

Çështja e njohjes së gjenocidit armen mbetet shumë e ndjeshme në politikën ndërkombëtare. Shumë shtete dhe institucione e kanë njohur atë zyrtarisht. Turqia vazhdon ta mohojë, duke konsideruar përdorimin e këtij termi si ofendim ndaj identitetit të saj kombëtar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/