Netanyahu thotë se Hamasi duhet të çarmatoset, përndryshe “do të shpërthejë ferri”

news image

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se është shpresëplotë për një fazë të re paqësore në marrëveshjen mes Izraelit dhe Hamasit, por theksoi se kushtet e presidentit Donald Trump janë “shumë të qarta”: Hamas duhet të dorëzojë armët dhe të çmilitarizohet, përndryshe “do të shpërthejë ferri”.

“Ne ramë dakord t’i japim paqes një shans,” tha Netanyahu të martën, një ditë pasi Trump vizitoi shkurtimisht Tel Avivin për të shënuar fazën e parë të planit të tij 20-pikësh për paqe në Gaza, duke shpallur se “lufta ka mbaruar”.

Tani që pengjet e mbijetuara janë kthyer, Netanyahu tha se çmilitarizimi dhe çarmatosja duhet të jenë hapat e radhës, raporton CBS News, transmeton Sinjali.

“Së pari, Hamas duhet të dorëzojë armët,” tha Netanyahu në një intervistë ekskluzive në Tel Aviv për “CBS Mornings”, me bashkë-prezantuesin Tony Dokoupil. “Së dyti, duhet të sigurohemi që nuk ka fabrika armësh brenda Gazës, dhe që nuk ka kontrabandë armësh drejt Gazës. Kjo është çmilitarizimi.”

Hamasi ka refuzuar të dorëzojë armët. Trump paralajmëroi të martën se, nëse Hamas nuk çarmohet, “ne do t’i çarmatosim ata.”

Netanyahu tha se kishte dëgjuar deklaratat e Trumpit, duke i përmbledhur me fjalët: “atëherë shpërthen ferri”.

“Shpresoj që të mos ndodhë,” tha Netanyahu. “Shpresoj që ta bëjmë këtë në mënyrë paqësore. Ne jemi plotësisht të gatshëm për këtë.”

Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga administrata e Trumpit, siguroi lirimin e 20 pengjeve izraelite të mbijetuara, në këmbim të gati 2,000 të burgosurve dhe të ndaluarve palestinezë që mbaheshin nga Izraeli. Hamas gjithashtu ktheu trupat e katër pengjeve izraelite të vdekur të hënën, dhe katër të tjerë të martën, duke lënë ende 20 trupa që nuk janë kthyer.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/