Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mbajtur një fjalim kombëtar pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.
Në adresimin e tij, Netanyahu u shpreh se është në proces të përmbushjes së premtimit të dhënë qytetarëve izraelitë për rikthimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
“Po përmbush premtimin për të rikthyer të gjithë pengjet,” tha ai, sipas BBC.
Netanyahu konfirmoi se, si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes, forcat izraelite janë tërhequr nga disa zona të Gazës. Por paralajmëroi se operacionet nuk kanë përfunduar.
“Izraeli ende po rrethon Hamasin nga çdo drejtim,” theksoi ai.
Kryeministri izraelit foli gjithashtu për planin më të gjerë të mbështetur nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili përfshin çarmatosjen e Hamasit dhe çmilitarizimin e Gazës.
“Fazat e ardhshme të planit të presidentit amerikan, Donald Trump janë që Hamasi do të çarmatoset dhe Gaza do të çmilitarizohet,” deklaroi Netanyahu, ndonëse Hamasi nuk ka bërë ndonjë premtim për t’u çarmatosur.
Ai përmbylli fjalimin me një paralajmërim të qartë:
“Nëse kjo arrihet në mënyrën e lehtë – aq më mirë. Dhe nëse jo – do të arrihet në mënyrën e vështirë.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!