Nesër deputetët në inspektim të ASK-së, Komisionin do ta udhëheqë Skender Rexhepi

Nesër deputetët në inspektim të ASK-së, Komisionin do ta udhëheqë Skender Rexhepi

Janë dakorduar të gjitha procedurat për seancën e nesërme të Komisionit për mbikëqyrjen e punës së ASK-së, e cila është caktuar për orën 10:00, ndërsa pas përfundimit të saj pritet të bëhet edhe vizitë në Agjenci. Komisioni do të udhëhiqet nga kryetari i tij, Skender Rexhepi, edhe pse më herët ka pasur mospajtime për shkak se ai nuk ka certifikatë sigurie. Për këtë arsye, nesër pas seancës, Rexhepi me shumë gjasë nuk do të shkojë bashkë me deputetët për të bërë inspektim në punën e ASK-së. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në brifingun e sotëm me gazetarët tha se janë bërë të gjitha përpjekjet që të mos ketë probleme, por sa i përket certifikatës së Rexhepit, tha se për këtë duhet të përgjigjet ASK-ja.

“Për nesër është caktuar seanca e Komisionit për mbikëqyrjen e ASK-së, e më pas deputetët do të shkojnë në mbikëqyrje të Agjencisë. Siç e dini, ka pasur mospajtime me caktimin e Komisionit, por u përpoqëm të bëjmë gjithçka që të mos ketë ego personale dhe probleme në Kuvend, pra ideja ishte të kishte marrëveshje për seancën e Komisionit. Sa i përket certifikatës së Rexhepit, Kuvendi nuk është kompetent dhe për këtë duhet pyetur ASK pse pas një viti ende nuk e ka marrë dokumentin e sigurisë”, deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.


Ndërkohë, nga partitë politike vazhdojnë akuzat e ndërsjella nëse ka pasur ndjekje dhe nëse do të hapen dokumentet për publikun për të parë saktësisht çfarë ka ndodhur, përkatësisht nëse bëhet fjalë për keqpërdorim të sistemit. Nga LSDM sërish me kërkesë për deklasifikim të dokumenteve.

“Nëse LSDM ka përgjuar, siç pretendon pushteti, pse ka frikë t’i deklasifikojë dokumentet? Çfarë e frikëson aq shumë Hristijan Mickoskin në ato dokumente? A përmbajnë këto dokumente prova për bashkëpunim të Mickoskit me shërbime të huaja armiqësore? A ka punuar Mickoski në dëm të interesave të shtetit për para të huaja? A ka pasur komunikim Hristijan Mickoski me agjentura ruse që kanë financuar ekstremizëm dhe destabilizim të shtetit?”, u shpreh Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.
U kundërpërgjigjën nga OBRM-PDUKM duke thënë se “LSDM pranoi se ka ndjekur dhe përgjuar përmes ASK-së, dhe tani në vend që të kërkojnë falje, gënjejnë dhe manipulojnë”.

“LSDM fillimisht duhet të kërkojë falje për 5 vite ndjekje të kryetarit Mickoski, gazetarëve dhe biznesmenëve, të cilët së bashku me familjet e tyre kanë qenë nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga shërbimet. Pasi të kërkojnë falje, duhet të thërrasin Viktor Dimovskin, Eroll Musliun dhe Ljupço Kocevskin për përgjegjësi. Në vend të kësaj, shohim se LSDM me çdo kusht i mbron të gjithë ata që kanë keqpërdorur institucionet, sepse është e qartë se kanë vepruar me urdhër partiak”, theksoi Brane Petrushevski nga OBRM-PDUKM./TV21/