Komuna e Shtimes ka nënshkruar sot kontratën për inventarizimin dhe realizimin e Muzeut të Shtabit të Rancës, një projekt me rëndësi të veçantë historike që synon ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së luftës së UÇK-së.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, priti në takim drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale (AMMKM), Imer Hakaj, si dhe përfaqësues të tjerë të këtij institucioni, përcjell Telegrafi.
Pas takimit, përfaqësues nga Komuna e Shtimes, bashkë me drejtoreshën për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Salihu-Qeriqi, përfaqësues të AMMKM-së dhe kryetarin e OVL-UÇK-së, dega në Shtime, Baki Rashiti, vizituan nga afër Shtabin në fshatin Rancë, ku do të realizohet projekti.
Ky investim do të mundësojë ruajtjen, dokumentimin dhe muzeralizimin e këtij vendi me vlera të jashtëzakonshme historike, duke e shndërruar në një hapësirë të denjë për kujtesën e lavdishme të luftës së UÇK-së dhe sakrificës për liri.
Projekti, me vlerë rreth 40 mijë euro, mbështetet nga Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale (AMMKM) dhe shënon një hap të rëndësishëm drejt realizimit të muzeut të shumëpritur të Shtabit të Rancës. /Telegrafi/